Treg

Në fillim të 2022-shit, nuk e harxhuam energjinë që kishim në dispozicion

Prodhimi vendas i energjisë elektrike u ul me 40% gjatë gjithë tremujorit të parë 2022, krahasuar me një vit më parë.

Në total u prodhua 2.016 GWh nga 3.344 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2021.

Importi i energjisë u rrit me 7 herë, ndërsa eksporti ra me 67.5%. Por, energjia në dispozicion për tremujorin e parë 2022 ishte 2.7% më e lartë se një vit më parë, kur prodhimi vendas ishte më i lartë.

Prodhimi u realizuar 52.8% nga hidrocentralet publike, 46.7% nga ato private dhe 0.5% nga prodhues të tjerë alternativë, fotovoltaik.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2022, prodhuan 1.065 GWh nga 1.890 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2021, duke shënuar kështu një rënie të prodhimit me 44%.

Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 942 GWh nga 1.446 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rënie të prodhimit të energjisë elektrike me 35%.

Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e parë të vitit 2022 ka arritur vlerën negative prej 342 GWh, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2021 ku kishte një vlerë pozitive prej 1.047 GWh.

Për tremujorin e parë 2022, çmimi mesatar më i lartë i energjisë së blerë vihet re në muajin mars, prej 274.6 Euro/MWh, rreth 29.14 Euro/MWh më pak se çmimi mesatar mujor sipas bursës hungareze HUPX.

Gjatë tremujorit edhe humbjet në rrjet raportohen me ulje, 5.5%. Konsumi i familjarëve u rrit me 8.1% dhe nga jofamiljarët me 3%.

Prodhimi i energjisë nga termocentralet është ende në vlerën zero, por sipas njoftimit të një muaji më parë nga ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku, brenda tre muajve anijet e marra me qira nga SHBA, do të nisin prodhimin e energjisë me ndihmë të gazit të lëngshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë