Bota

Në Britani rihapen pubet, baret dhe restorantet. Radhë përpara dyqaneve

Mbretëria e Bashkuar, ka rihapur “dyert” pas fushatës maksimale të vaksinimit të ngritur nga qeveria. Dhe që në orët e para të mëngjesit, britanikët kanë nxituar të mbushin pubet e rihapura në Londër dhe në pjesën tjetër të vendit.

Është fillimi i një faze të re në daljen graduale nga bllokimi i pandemisë, i vendosur nga qeveria e Boris Johnson. Por vetë kryeministri ka ftuar qytetarët të jenë më të kujdesshëm: "Vazhdoni të veproni me përgjegjësi".

Rihapja, përfshin pas më shumë se tre muajsh, dyqanet jo-thelbësore, parukeritë dhe palestrat, një lehtësim të pjesshëm në kontaktet sociale, veçanërisht jashtë dhe fillimin e shumë pritur të shërbimit (tani për tani dhe të paktën deri më 17 maj, vetëm jashtë), të pub-eve dhe restoranteve.

Boris Johnson nuk mungoi të ftojë bashkatdhetarët e tij të jenë të kujdesshëm. “Dita e sotme, - nënvizoi ai në një mesazh, - pasqyron një hap të rëndësishëm përpara në udhërrëfyesin tonë drejt lirisë. Jam i sigurt se do të përfaqësojë një lehtësim të madh për pronarët e dyqaneve që janë mbyllur për kaq shumë kohë, si dhe për të gjithë. Kjo na jepni mundësinë të rifillojmë, duke bërë disa nga gjërat që duam dhe na kanë humbur".

Rihapja, tha Johnson, i rekomandon "të gjithë të vazhdojnë të veprojnë me përgjegjësi", duke u kujdesur për higjienën e duarve dhe fytyrës dhe duke u përqendruar te aktivitetet "në mjedise të hapura", për të "përmbajtur Covid, ndërsa ne do të vazhdojmë me programin tonë të vaksinimit".

Një burim qeveritar, i cituar nga transmetuesi britanik “Sky News”, raportoi se kryeministri Johnson do të shkojë menjëherë tek berberi për të prerë flokët. Ai fillimisht planifikoi të shkonte në një pub, por e anuloi këtë takim pas vdekjes së princit Philip.

Ndërkohë, mediat raportojnë se radhë të gjata ka pasur përpara dyqaneve dhe bizneseve në disa qytete të Mbretërisë së Bashkuar. Për shembull, në “Oxford Street” në Londër, një nga rrugët më të frekuentuara në botë dhe të lëna të shkretuara nga pandemia, radhët e gjata janë formuar para dyqaneve që prisnin të hapnin dyert.

Sidoqoftë, mbetet pyetja, se këto mbyllje të zgjatura dhe rreziku i vazhdueshëm i Covidit, mund të kenë ndryshuar tashmë mënyrën e blerjes nga ana e njerëzve.

Magazina historike në “Oxford Street”, “Selfridges”, në lidhje me këtë temë, me rastin e rihapjes, ka ngritur në fasadën e saj një shkrim me shkronja të mëdha që lexon: “Let's change the way we shop" ("Le të ndryshojmë mënyrën e blerjes").


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë