Bota

Në Britani, 100 mijë persona infektohen çdo ditë me Covid-19

Sipas një studimi të Kolegjit Imperial në Londër, rreth 100,000 persona infektohen nga koronavirusi çdo ditë në Angli.

Autorët e studimit besojnë vendi është në një “fazë kritike” dhe se duhet bërë patjetër diçka. Qeveria britanike është duke zbatuar strategjinë e saj rajonale, mirëpo ekspertët janë duke paralajmëruar se vendi mund të arrijë nivelin e infektimeve që janë regjistruar në pranverë.

Profesori Steven Riley, një nga autorët e studimit, ka thënë se “është zhgënjyer” nga të dhënat, që sipas tij tregojnë se “masat aktuale nuk janë të mjaftueshme”.

“Duhet të ketë ndryshim, shkalla e infektimit është në rritje, në një mënyrë apo tjetër duhet të ketë ndryshime para Krishtlindjeve”, ka thënë ai.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 945,378 raste me koronavirus që nga shpërthimi i pandemisë dhe 45,765 viktima.

"Numri i personave të infektuar është dyfishuar, një në çdo 78 persona rezulton pozitiv",thekson studimi. Është trefishuar numri i personave të infektuar të grupmoshës 55-64 vjeç, krahasuar me studimin e muajit paraardhës dhe po ashru është rritur numri R – nga 1.15 në 1.56."


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë