Futboll

Në Berlin luhet historia, 30 vjet pas rënies së Murit

Luhet sot në Kopenik, në lagjen lindore të Berlinit, një pjesë e historisë. Një ndeshje që shkon përtej aspektit sportive. Derbi i parë i qytetit më të madh të Gjermanisë nuk është luajtur kurrë në Bundesligë që pas shembjes së Murit dhe pak rëndësi ka që Unioni mban vendin e 15-të në klasifikim, me 7 pikë në 9 ndeshje. Sot ky ekip sfidon Herthën, që ka 4 pikë më shumë.

Të dyja këto skuadra kanë qenë mike, derisa Muri ishte në këmbë dhe tifozëritë respektive kanë mundur të kalojnë në anën tjetër të tij për të parë ndonjë ndeshje speciale. Por qasja e dy klube është shumë e ndryshme. Në lagjen lindore, ku luan Unioni, ndjenja e së kaluarës është shumë e fortë dhe skuadra gjithmonë e ka çmuar raportin me të besuarit e saj. “Stadion An der Alten Försterei” (që përkthehet stadiumi afër shtëpisë së rojeve të pyllit) ka 22 mijë vende. Hertha në anën tjetër merr frymë më lirisht, luan në “Olympiastadion”, me një kapacitet prej 74 mijë vendesh dhe u përket të gjithë berlinezëve.

Muri që ndante Gjermaninë Lindore me atë Perëndimore ra më 9 nëntor 1989. Do të bëheshin fiks 30 vjet të shtunën e ardhshme dhe Hertha kërkoi që ndeshja me Unionin të luhej pikërisht atë ditë, por klubi tjetër replikoi, duke ngritur argumentin se ajo datë është shumë e rëndësishme për të luajtur futboll. Të dyja skuadrat vijnë në derbi nga fitoret në Kupën e Gjermanisë. Të martën Unioni mundi 3-1 Frajburgun, kurse Hertha mundi të mërkurën me penallti Dinamon e Dresdenit.

Derbi i sotëm është i pesti për Berlinin. I fundit ka qenë ai mes Herthës dhe Tennis Borusia Berlino në vitin 1976-77. Skuadrat e tjera të qytetit në nivelin më të lartë të futbollit gjerman kanë qenë Tasmania 1900 Berlin dhe Blau-Weis Berlin. Por kanë qenë vetem derbe të Berlinit perëndimor. Ky i sotmi është historik, sepse Unioni është skuadra e vetme e Berlinit që ka luajtur në Oberliga, kampionati i vjetër i Gjermanisë Lindore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë