Menaxhim

Në BE nuk vendos qeveria as për çmimin e patentës e as për ditët e praktikës

Nga Gazeta Si - Vendimi për dyfishimin e çmimit të lejeve të drejtimit për automjetet (patenta) të Kategorisë B duket se është mbështetur mbi motive mjaft të diskutueshme dhe të dobëta. Gazetasi.al ka folur me disa ekspertë, disa prej të cilëve janë pro rritjes e të tjerët kundër. Por të gjithë shkojnë drejt një pike: Që përpara se të fiksohet çmimi duhet ndryshuar ligji.

“E mund të ndodhë që çmimi të jetë edhe më i lartë por edhe më i ulët. Kjo varet nga aftësia e praktikantit”

Një ish-zyrtar i DPSHTRR i tha Gazetasi.al se Shqipëria duhet të ndjekë normat e Bashkimt Evropian, të vendosura që në vitin 2006.

“Në vendet e BE dhe rajon, janë autoshkollat që vendosin se sa orë duhet të bëjë një person për të qenë gati për të marrë patentën”, shpjegon ish-zyrtari, duke shtuar se ka kosto orare, jo çmim patente.

Një person mund të ketë nevojë për 10 orë teorie apo praktikë për shembull dhe paguan në bazë të çmimit që ka një orë. Mund të jetë një person tjetër që i duhen më shumë apo më pak orë teorie, apo praktike dhe ekziston mundësia që dikujt t'i shkojë patenta edhe më shumë se 1 mln lekë, pasi kuota e patentës duhet të jetë në varësi të personit që e bën.

Si shembull mund të marrim Italinë ku patenta shkon nga 1 mijë euro dhe deri në 4 mijë euro, në varësi të orëve që ka nevojë personi që dëshiron të marrë patentën.

Burimi i Gazetasi.al shpjegon se kjo praktikë ka funksionuar në vendet e BE dhe duhet të praktikohet edhe në Shqipëri.

Por, në një reagim për median, Blendi Gonxhja thotë se vlera prej 85 mijë lekësh nuk është e kursit të patentës por e procesit në total, deri në pajisje me Lejedrejtimi B.

Gjithashtu edhe programi vazhdon të jetë i njëjtë, 25 tema teori = 36 orë mësimi + 34 seanca praktika me nga 40 minuta secila.

Dhe sipas Gonxhes, çmimi i patentës do të ishte i njëjtë nëse autoshkollat do të kryenin të gjitha orët e caktuara në program.

“Po të ishin bërë orët e plota, çmimi do ishte gati i njëjtë. Një kosto reference e njohur nga DPT e nxjerr te 69700 lek total kursin, ose rreth 550 lek/ora e mësimit teori dhe 1450 lek seanca 40 minutëshe e praktikës”, thotë Gonxhja.

Një problem tjetër që shihet me rritjen e çmimit të patentës është fakti se DPSHTRR nuk duhet të përfshihet në këtë çështje.

“Drejtoria e transporteve ka në dorë testimin. Nëse një qytetar është i përgatitur, e kalon testimin, nëse nuk është i përgatitur, nuk e kalon testimin. Edhe në praktikë funksionon e njëjta gjë. Nuk ka rëndësi nëse e ke bërë me shumë lekë apo me pak lekë, nëse ke bërë shumë orë apo pak orë. E rëndësishme është ajo që bën në testim dhe Drejtoria e Transporteve ka në ligj të bëjë testimin. Pjesa e orëve mësimore i përket autoshkollave”.

Nga ana tjetër është autoshkolla ajo që përgatit personat për patentë dhe “ato e dinë më mirë se të gjithë që nuk ka nevojë për shtim orësh, ose të paktën jo për të gjithë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë