Drejtësia

Në arrest shtëpie, Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Berishës për të shkuar në Kuvend

Apeli i GJKKO-së rrëzoi të hënën kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvend.

Kërkesa e Berishës lidhet me lejen që ai duhet të marrë pasi ndodhet në arrest shtëpie për shkak të privatizimit të klubit Partizani.

Më herët, SPAK ka argumentuar se ushtrimi i mandatit të fituar nga zgjedhjet për në Kuvend konsiderohet si e papajtueshme siç është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet masës 'arrest shtëpie'.

Një muaj më parë, Shkalla e Parë e kësaj gjykate e ka refuzuar këtë kërkesë, duke arsyetuar se ish-kryeministri duhet të qëndrojë në “arrest shtëpie”, i akuzuar për aferën e privatizimit të klubit sportiv 'Partizani".

Avokatët e Berishës argumentojnë se duke qenë se Berisha është deputet, është e drejtë dhe detyrim kushtetues si person i zgjedhur nga sovrani për të ushtruar të drejtat dhe liritë politike sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Prej muajit dhjetor, Sali Berisha është në masën e sigurisë “arrest shtëpie” i akuzuar për korrupsion pasiv në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë