Financa Personale

Thellohet pabarazia edhe në kursime, 4% e shqiptarëve mbajnë vlerën më të madhe të depozitave

Nga Gazeta ‘SI’ - Pabarazia në shpërndarjen e kursimeve të qytetarëve shqiptarë është thelluar më tepër gjatë 2022-shit, sipas raportit vjetor të Agjencisë për Sigurimin e Depozitave, ASD. Një numër shumë i vogël depozituesish mbajnë më shumë se gjysmën e totalit të vlerës së depozitave në sistemin bankar, që deri në fund të vitit 2022, raportohen 1.161 mld lekë.

Konkretisht, sipas ligjit për sigurimin e depozitave, një depozitë është e mbrojtur deri në vlerën e 2.5 mln lekëve dhe më këtë ndarje llogariten depozitat poshtë dhe lart kësaj vlerë. Janë pak më shumë se 1.5 mln llogari individësh, 96% e totalit, që kanë në depozitën e tyre një vlerë deri në këtë limit, duke mbajtur 480 mld lekë të totalit. Kjo shifër është shtuar me rreth 15 mld lekë, ndonëse në raport përqindje mbetet e njëjtë.

Me një diferencë shumë të madhe, janë rreth 115 mijë llogari individësh, 4% e totalit, që kanë në depozitat e tyre vlera mbi 2.5 mln lekë duke mbajtur në total 681 mld lekë, me rritje po rreth 15 mld lekë.

Gjatë të gjithë vitit, depozitat u shtuan me 85 mld lekë ose 6% në raport vjetor, ndonëse kanë pësuar disa herë luhatje. Nga e gjithë vlera totale, vetëm 1.425 mld ishin depozita të siguruara, 94% e totalit ose rreth 2.6 mln llogari individësh. Rritja vjetore e depozitave të siguruara nga viti 2021 në vitin 2022 ishte 4.35%. Ndërkohë, për 10 vitet e fundit (2012-2022) rritja mesatare vjetore është në masën 4.25%.

Sipas shifrave të ASD, gjatë vitit të shkuar, depozitat në lekë mbajtën 49% të totalit dhe euro 45%, trend jo shumë i zakonshëm.

Për të njëjtin vit, depozitat e shoqërive tregtare arritën vlerën e 263 mld lekëve, me një rritje rreth 8% nga viti në vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë