Politike

Ndryshimi i vendbanimeve, Bardhi: Qeveria e Ramës ka nisur manipulimin e listave

Pasi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi sot se qytetarët do të votojnë aty ku kanë votuar herën e fundit, vjen edhe një kundërpërgjigje nga Partia Demokratike.

Sekretari i PD-së, Gazment Bardhi ka denoncuar ndryshimin e vendbanimeve pa kërkesë të qytetarëve duke e cilësuar si një operacion kriminal të qeverisë për të manipuluar listat e zgjedhësve.

Bardhi thekson se PD po bën gati kallëzimin penal për Sandër Lleshaj dhe Drejtorin e Gjendjes Civile, Bledar Doracajn për shkelje të rëndë.

“Qeveria e Edi Ramës ka nisur manipulimin e listave dhe nuk ka mashtrim të Sandër Lleshajt që ta mbulojë këtë operacion kriminal.

Emisioni investigativ ‘Boom’ e ka ka kapur me presh në duar Sandër Lleshajn dhe Edi Ramën. Dëshmitë e qytetarëve janë të drejtpërdrejta dhe nuk lënë vend për diskutime. Qytetarëve u është ndërruar vendbanimi pa kërkesën e tyre, në shkelje flagrante të ligjit. Ligji e thotë qartë se me ndryshimin e vendbanimit, qendra e votimit ndryshon automatikisht”, shprehet Bardhi në një postim në rrjetet sociale.

Bardhi garanton se askush nuk do të prekë votën e lirë dhe që nga Lleshaj deri tek nëpunësi më i thjeshtë, kush fut duart në listat e votuesve për të deformuar vullnetin e qytetarëve do mbajë përgjegjësi.

“Do apo nuk do Edi Rama, qytetarët do të dalin në votime masivisht dhe do të çlirohen nga ky regjim që vetëm i vjedh.

Askush nuk do të guxojë të prekë votën e lirë! Partia Demokratike po bën gati kallëzimin penale për Ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj për shkeljen e rëndë të ligjit dhe të së drejtës për votim të qytetarëve. Që nga Sandër Lleshaj deri tek nëpunësi më i thjeshtë që fut duart në listat e votuesve për të deformuar vullnetin e qytetarëve, do të mbajë përgjegjësi para ligjit!", vijon më tej reagimi i tij.

https://www.facebook.com/gazment.bardhi/posts/10223877229028330

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë