Arsim

Ndryshimet për vlerësimin e nxënësve në Shqipëri, ekspertët rrëzojnë Ministrinë e Arsimit

Nga Anxhela Çelanji - Ministria e Arsimit prezantoi ndryshimet e vlerësimit të nxënësve në arsimin para universitar. Në këtë prezantim thuhej se do të kishte ndryshime në vlerësim. Por a kishte vërtet?


Sipas ekspertit të arsimit Fatmir Vejsiu, ky format i ri vlerësimi nuk kishte ndryshime të dukshme dhe të rëndësishme.
Sipas asaj që u tha nga Ministria, mësuesi duhet të përdor të gjitha mundësitë e matjes për vlerësimin. Kjo për t’i dhënë mundësi nxënësit që të shprehet në çdo nivel.
Ky vlerësim është ndryshuar pasi më herët, mësuesi duhet të mbante shënime në fletoren e tij personale për vijueshmërinë e nxënësve.
Vejsiu shpjegon për Gazetasi.al se mësuesit duhet të krijonin fletore shënimesh për ecurinë dhe vlerësimin e nxënësit ku do të përdornin nota e simbole të cilat vetëm ai do mund t’i deshifronte.
“Humbëm një traditë të konsoliduar dhe i hapëm rrugë fiktivitetit dhe mungesës së transparencës”, shpjegon Vejsiu.

Sipas tij kushdo të jetë “shpikësi” i kësaj metode të pasqyrimit të përparimit dhe vlerësimit të nxënësve duhet të mbajnë përgjegjësi.
Gjithashtu, eksperti i arsimit Qemal Çejku shpjegon se ndryshimi i rregullave të vlerësimit në sistemin parashkollor me një udhëzim, është ajo çfarë nuk duhet të bëjmë sot në arsim.

Sipas ekspertit skema aktuale e vlerësimit është shumë larg çfarë kërkohet.

“Vlerësimi aktual ishte fasada ku mësuesi shkruan ato që do dhe jo ata që i përkasin fëmijës. Kjo pasi udhëheqësit didaktik janë analfabet dhe janë jashtë profilit”, shpjegon Çejku.
Sipas tij vëzhgimi i fëmijës në atë çfarë ka përvetësuar është shumë e domosdoshme. Ai thotë se duhet të bëhet vëzhgimi inteligjent i mësuesit.
“Sa përket udhëzimit të ri te vlerësimit sipas ekspertëve duket ndryshime pozitive. Në thelb mbetet fëmija. Këto ndryshime kanë ardhur dhe nga presioni i vetë sistemit parashkollor. Por të presim sa kjo skemë të marri jetë. Më pas do shikojmë dhe problemet apo ndryshimet që duhet të ishin më mirë”, shton më tej Çejku për Gazetasi.al.

Ekspert arsimi Qemal Çejku.

Ndërsa,Vejsiu shton se nuk ka ndryshime dhe ndoshta, ndryshimi nuk vjen si pasojë e reagimit profesional. Kjo sipas tij diktohet nga përdorimi i sistemit SMIP. Eksperti e konsideron cenim të të gjitha vlerave dhe treguesve që mbart vlerësimi i arritjeve të nxënësve nga mësuesi.
“Unë mendova që specialistët do ishin marrë edhe me vlerësimin e nxënësve të klasave I – III, për të cilët sipas ligjit 69/2012 “Për sistemin arsimor para universitar në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 48 pika 2 thuhet:
-Nxënësit e klasave të para, të dyta e të treta vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota, numra të plotë nga katër deri në dhjetë, ku nota më e ulët kaluese është nota pesë dhe vlerësimi përfundimtar shoqërohet me përshkrim.
Ndryshe ndodh në fakt, kur njerëz të guximshëm kërkojnë të tejkalojnë kompetencat dhe përdorin sistemin me pesë nota (1 deri në 5) duke e justifikuar me atë që nuk është notë, por kategori vlerësimi”, shpjegon Vejsiu.

Ekspert arsimi Fatmir Vejsiu.

Heqja e modelit të vlerësimit me pesë nota

Më tej eksperti shton se nuk ka sens dhe detyrimisht duhet të hiqet nga përdorimi modeli i vlerësimit me pesë nota.
Vlerësimi me test/detyrë përmbledhëse dhe dokumentimi i tij, thuajse mbetet i pandryshuar me atë që është aktualisht, vetëm se në variantin e ndryshuar thuhet:
-Testi/detyra përmbledhëse planifikohet nga mësuesi, kur përmbyllet një grup rezultatesh të nxëni dhe mësuesi është i lirë ta vendosë vetë kur do ti zhvillojë ato.
Por sipas Vejsiut edhe në këtë pikë ky dokument bie në kundërshti sepse pak rreshta më poshtë, në të njëjtin prezantim thuhet;
-Vlerësimi me test ose detyrë përmbledhëse kryhet në pjesën e fundit të periudhës.
Kështu sipas ekspertit mësuesi nuk është aq i lirë sa thuhet ne paragrafin më sipër.

Vlerësimi i projekteve shkollore

Ndërkaq në prezantim u shpjegua se vlerësimi i projekteve të nxënësve do të jetë vetëm një herë dhe jo në çdo periudhë.

Këtë pikë Vejsiu e argumenton përsëri jo të drejtë. Sipas tij një mësues mund ta zhvillojë me nxënësit një projekt në fillim të vitit dhe më pas shkëputet nga ky element i formimit lëndor. Kështu, thotë eksperti, do të zbehet rëndësia dhe qëllimi i zhvillimit të kësaj veprimtarie.
Çejku nga ana tjetër thotë se ndryshimet dhe ndërhyrjet në sistem duhet të vijnë pas studimeve në shkolla.
Eksperti, shikon problem gjithashtu te drejtuesit, pasi duhet të kenë kualifikim 20 vjeçar. Por sipas Çejkut përsëri ka drejtues pa këtë kualifikim.
Ndërsa, Vejsiu shton më tej se priste më shumë risi në këto ndryshime të vlerësimit të nxënësve, të cilat në thelb nuk kishin ndryshime.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë