Politike

Ndryshimet kushtetuese, Rama la një derë hapur për Bashën

Kur kryeministri Edi Rama e tha hapur se do të pranonte listat e hapura e për pasojë edhe ndalimin e koalicioneve, shumë syresh pritën një reagim të fortë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Për një arsye të thjeshtë; se ndalimi i koalicioneve parazgjedhore i prishte punë llogaritjeve elektorale të PD-së sa kohë që kjo e fundit i ka fituar zgjedhjet gjithnjë si koalicion dhe jo si forcë e parë politike.

Por jo. Nuk ndodhi ajo që pritej. Basha, pak minuta pas daljes së Ramës, mbajti qëndrime jo të qarta.

Ai kërkoi vetëm një gjë; reflektim nga Rama. Dhe reflektimi i parë (të paktën publikisht) pritej nga Këshilli për Legjislacionin dhe Komisioni për Çështjet Ligjore.

E filluan me diskutimin për pragun elektoral për të njoftuar se, për pikën e nxehtë atë të koalicioneve, do të flisnin të hënën mbasdite.

Por, në vend të një mbledhjeje të dytë, pati një çarçaf qëndrim nga opozita e bashkuar, ku në vija të trasha thuhej se tentativa e Ramës për koalicionet do të cenonte stabilitetin e vendit.

Këshilli i Legjislacionit bashkë me Komisionin e Ligjeve e shtynë diskutimin për të martën paradite. Me një qëndrim disi ndryshe dhe evaziv.

PS-ja dhe opozita parlamentare ranë dakord që në Kushtetutë të sanksionohet hapja e listave. Për 2/3 e listës nga partitë për zgjedhjet, do të jenë votuesit që do vendosin, ndërsa 1/3 do të jetë në dorën e vetë subjekteve politike.

Një pesë me hiç nëse i referohemi këmbënguljes së madhe të mazhorancës për hapjen e listave në emër të një kërkesë bazike që vinte nga populli.

“Bie alibia, Rama nuk hap listat, por heq vetëm koalicionet parazgjedhore

Është zbardhur sot (e martë) drafti i miratuar nga Komisioni i Ligjeve, ku PS ka bërë ndryshimet e saj në draftin e opozitës parlamentare. Në draftin e miratuar përcaktohet se listat e hapura shtrihen vetëm për 2/3 e listave, ndërkohë që 1/3 e listës caktohet në mënyrë të pandryshueshme nga partia. “Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore”, thuhet në draftin e miratuar...Praktikisht pjesën fituese të listës e cakton partia dhe jo qytetarët.

Kjo rrëzon alibinë e Edi Ramës se do të hapte listën, duke dalë zbuluar që qëllimi i vetëm i ndryshimit është heqja e koalicioneve parazgjedhore”, thuhet në një reagim të PD-së të shpërndarë në rrugë jo zyrtare për mediat.

Lëvizja tjetër e PS-së lidhet me koalicionet parazgjedhore dhe pse e parë trash duket sikur ka konspiracion të madh.  

“Listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore nuk shkojnë dot bashkë. Në Kushtetutë nuk kemi pse shkruajmë që ndalohen koalicionet. Kjo vetëkuptohet, kur themi që kandidatët i propozon vetëm partia dhe zgjedhësit. Në Kushtetutë ruajmë vetëm parimet, në Kodin Zgjedhor saktësojmë detajet...”, tha Klotilda Bushka, qëndrim i cili u mbështet edhe nga deputeti tjetër i PS-së, Alket Hyseni.

Pra, me formulimin e anëtarëve të komisionit, sa kohë që lejohen listat e hapura koalicionet parazgjedhore ndalohen apriori pa e specifikuar në Kushtetutë.

Që do të thotë se praktikisht, partitë me njëra tjetrën kanë hapësirë për marrëveshje mes tyre.

Një sugjerim që mot-a-mot e tha Rama këtu e tre ditë më parë, kur foli për ndalimin e koalicioneve.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë