Mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe e Komisionit të Ligjeve miratoi në unanimitet me pak ndryshime, por pa cekur në thelb tre propozimet e opozitës parlamentare për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë, parashikimi për koalicionet zgjedhore dhe pragu elektoral.
Ndryshimi i parë lidhej me propozimin e opozitës parlamentare që të përcaktohej që në nenin 68-të të Kushtetutës ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Relatorja socialiste, Klotilda Bushka tha se ky përcaktim kishte marrë një kuptim pezhorativ dhe se vetë hapja e listave nënkuptonte automatikisht ndalimin e koalicioneve parazgjedhore.
“Fjalia që ishte në nenin e mëparshëm që ndalohen koalicionet zgjedhore ka një konotacion shumë negativ. Kështu që vetëm fjalia “se kush e ka të drejtën që të paraqesë një kandidat” është e mjaftueshme dhe nuk ka nevojë për dublim. Listat e hapura me koalicionet parazgjedhore siç jemi mësuar t’i kemi deri më sot nuk shkojnë dot bashkë”, deklaroi Bushka.
Me këtë formulim koalicionet parazgjedhore nuk ndalohen me parashikim në Kushtetutë, por u lihet dera e hapur që të vendosen në Kodin Zgjedhor.
“Lista do të ishte pambarim e pamundur për organet e menaxhimit zgjedhor, që të menaxhonin një sistem të tillë”, tha Bushka.
Megjithatë, socialisti tjetër, Alket Hyseni thotë se teorikisht koalicionet nuk ndalohen. Ai si zgjidhje propozon mundësinë që partitë të dalin me një listë kandidatësh të përbashkët nën një logo.
“Partitë mund të organizohen brenda një liste të vetme, nën një logo të re apo ekzistuese. Të gjitha shqetësimet janë adresuar në këtë draft. Ta mbështesim dhe ta votojmë pro në të gjitha nenet”, deklaroi ai.
Kur dolën në mbështetje të hapjes së listave, socialistët propozuan hapje të pjesshme të tyre, jo në të gjitha qarqet e vendit. Megjithatë, në variantin përfundimtar të propozuar për ndryshimet kushtetuese hapja e tyre do të ndodhë në minimumin e përcaktuar në dy të tretat e listave.
Ndryshimi tjetër lidhet me uljen e pragut më poshtë shifrës 5 për qind të propozuar fillimisht nga opozita parlamentare. Ndryshimet u mirëpritën nga deputetët e opozitës parlamentare, që thanë se thelbi i propozimeve të tyre, që është hapja e listave me sistem proporcional rajonal nuk është prekur.
Megjithatë, si për sasinë e shtrirjes së listave të hapura, ashtu edhe për pragun zgjedhor parashikimet nuk do të vendosen në Kushtetutë, por tek ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku sipas propozimit do të reflektohen edhe ndryshimet kushtetuese për koalicionet. Opozita parlamentare kërkoi nga mazhoranca që të mbajë fjalën në këtë drejtim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.