Politike

Ndryshimet kushtetuese, qeveria përplaset me PPE. Reagon PD

Michael Gahler, zëdhënësi i Punëve të Jashtme në Grupin e Partive Popullore Europiane në Parlamentin Evropian, shkruan përmes një postimi në Facebook se votimi i ndryshimeve kushtetuese, ndryshoi në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale.

Për ata miq të Facebook që kanë një interes të veçantë për Shqipërinë, Michael Gahler shkruan:

“Unë i gjykoj me shumë keqardhje dhe vë në diskutim qëllimet e vërteta që Partia Socialiste e cila qeveris Shqipërinë, theu konsensusin e arritur ndërkombëtarisht me opozitën dhe dje ndryshoi në mënyrë të njëanshme kushtetutën.

Nuk mund të jetë e pranueshme për askënd që qeveria Rama e cila dëshiron negociatat e pranimit me BE të ndryshojë në mënyrë arbitrare rregullat e lojës elektorale.

Nëse kjo qeveri i do sinqerisht negociatat e pranimit me BE, si mund të mos pranojnë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare përkatëse për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë?”.

Një postim që nuk është pritur mirë nga qeveria shqiptare.  

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha se,  “dikush duhet t'ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD në Parlamentin Europian, se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel”.

“Parlamenti ynë ka shumicë dhe opozitë, ndërsa opozita me gjuhën e së cilës flet zotëria i nderuar, ka "djegur mandatet" si asnjë parti tjetër në historinë e PPE! Ajo nuk ka as monopolin e opozitës shqiptare, as ndonjë të drejtë hyjnore mbi Parlamentin e mbi qeverinë e Shqipërisë.

Me këtë rast e ftoj modestisht zotin Gahler të mos e fyejë në emër të Lulzim Bashës dhe si Lulzim Basha e partia e tij extra-parlamentare, as Parlamentin legjitim, as qeverinë e as opozitën parlamentare të Shqipërisë, e mbi të gjitha të mos e fyejë popullin shqiptar. I cili në shumicë dërrmuese kërkon hapjen e listave zgjedhore për të shprehur me votë preferencën jo vetëm për partinë, po edhe për kandidatët për deputetë”, shkruan ajo.

Sipas saj, gjuha e zëdhënësit të PPE ishte fyese edhe pse qëllimi nuk ishte aspak i tillë.

“Dëshiroj t'i them zëdhënësit të PPE, se Shqipëria është shumë e vogël për përçarjen e madhe politike, për të cilën sigurisht ai nuk ka asnjë faj, po të cilën ai s'ka pse e ushqen me deklarata si e sotmja.

Me siguri nëse ai do të kishte pyetur edhe përfaqësuesit e vendeve mike të Shqipërisë këtu në vendin tonë, të cilët e kanë ndjekur nga afër procesin, nuk do të kishte folur si Lulzim Basha duke nxitur përçarje, po do të kishte folur si ata, duke nxitur dialog e bashkëpunim për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi për dialog gjithëpërfshirës...”, vëren Spiropali.

Ndaj Spiropalit reagoi edhe PD-ja përmes Edi Palokës.  

“Është e pandershme që qeveria ta trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën:

Me ndryshimet e njëanshme kushtetuese marrëveshja e arritur me opozitën u zhbë, partnerët nga BE dhe vendet anëtare nuk u dëgjuan, rregullat e lojës për zgjedhje u ndryshuan në mënyrë të njëanshme.

Fyes për shqiptarët është të mashtrosh partnerët, është t’u premtosh marrëveshje dhe pastaj ta grisësh atë.

Tradhti ndaj interesave të shqiptarëve është të shpërfillësh paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe të izolosh vendin.

Fyes dhe kriminal është përdorimi i disa deputetëve pa mandat si fasadë për llogaritë e Ramës kundër interesit të shqiptarëve.

Dhe një sqarim të fundit vetëm për “nafijen e partisë”, Elisa Spiropalin. Kur Edi Rama të të sjellë gati tekstin e sulmit për ndonjë mik tjetër të Shqipërisë, kërkoji foton e saktë. Ky që të kanë dhënë, nuk është Michael Gahler”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë