Kombetarja

Ndryshime në listë, Reja merr një mbrojtës të majtë në vend të Hysajt

Ka ndryshime në listën e Kombëtares për dy ndeshjet e radhës në grup ndaj Turqisë dhe Moldavisë, që zhvillohen më 11 dhe 14 tetor në transfertë. Grupit do t’i bashkohet Hysen Memolla, mbrojtësi i majtë që luan në Finlandë aktualisht, me ekipin KPV Kokola. Ai ka qenë edhe më parë pjesë e Kombëtares. Gëzon një formë të mirë dhe ka shënuar 3 gola në ndeshjet e fundit, por ajo që çudit është se për të zëvendësuar Hysajn e dëmtuar duhej të vinte një mbrojtës i djathtë.

Lojtari më i përshtatshëm për të bërë rolin e Hysajt te kuqezinjtë do të ishte Ivan Balliu, por trajneri Reja ka zgjedhur Memollën. Të dy kanë qenë pjesë e listës së lojtarëve në pritje, ku figurojnë edhe emra të tjerë si Xhaka, Kaçe, Uzuni, Aliji, Çekiçi dhe Broja. Për krahun e majtë të mbrojtjes janë grumbulluar edhe Ermir Lenjani dhe Lorenc Trashi, ndërsa për krahun e djathtë nuk ka një lojtar tipik të këtij pozicioni. Kur Hysaj u zëvendësua me Islandën, vendin e tij e mori Abrashi. Mbetet për t’u parë cila do të jetë zgjedhja e trajnerit italian për lojtarin që do të zërë vendin e Hysajt në Turqi.

Hysen Memolla. Gazeta Si, 8 tetor 2019

“Shqipëria nën drejtimin e trajnerit Edi Reja është duke kryer përgatitje intensive për ndeshjet zyrtare me Turqinë dhe Moldavinë në transfertë. Ditën e sotme ka pasur ndryshime në listën kuqezi. Hysen Memolla do t’i bashkohet grumbullimit me skuadrën për ndeshjen në Stamboll më 11 tetor dhe atë ndaj Moldavisë në 14 tetor”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të Federatës Shqiptare të Futbollit për ndryshimin në listën e lojtarëve të grumbulluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë