Kombetarja

Gjimshiti: Gati të marr përgjegjësi, kemi shanse në Turqi

Ishte radha e Berat Gjimshitit dhe Taulant Seferit për të folur për dy ndeshjet kualifikuese me Turqinë dhe Moldavinë. I pari lojtar me përvojë dhe tashmë një titullar fiks në formacionin kuqezi, kurse i dytë grumbullohet për herë të parë me Kombëtaren, pas eksperiencës me Shpresat. Gjimshiti sheh shanse reale për Shqipërinë në ndeshjen me Turqinë, pavarësisht vështirësisë së kësaj transferte.

“Kemi përpara dy ndeshje shumë të vështira, sidomos me Turqinë, por kemi shanse dhe do të japim maksimumin. Më vjen keq për Hysajn, i cili u dëmtua para kësaj ndeshjeje. Është kapiten në mungesë të Mavrajt dhe do të na mungojë, kështu që do të luajmë edhe për Elsin në Turqi e Moldavi. Kam më shumë e 5 vjet që jam pjesë e Kombëtares, kam pasur përvoja të mira dhe të këqija, por tani jam gati të marr më shumë përgjegjësi. Në ndeshjen me Islandën u ndryshua diçka, ishim më të sigurt. Besoj se jemi mirë me sistemin e lojës së trajnerit Reja.

Berat Gjimshiti. gazeta Si, 8 tetor 2019

Gjërat që kam arritur me Atalantën dua t’i arrij edhe në Kombëtare. Vetëbesimin që e kam me skuadrën time dua ta transmetoj edhe këtu. Kemi një grup të mirë lojtarësh, ku të rinjtë po tregojnë veten dhe e them me bindje se kemi shanse reale në dy ndeshjet e radhës”, - ka thënë mes të tjerash Berat Gjimshiti, një nga titullarët e mbrojtjes me tre të trajnerit Reja.

Taulant Seferi. Gazeta Si, 8 tetor 2019

Seferi i befasuar
Taulant Seferi, një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit Shpresa vitet e fundit, aktualisht pjesë e Nojshatel Ksamaks në Zvicër, flet me entuziazëm për thirrjen kuqezi. “Kombëtaren e kam ndjekur gjithmonë, por tani që jam vetëm mund të them se jam shumë i befasuar me pritjen. Shoh pozitivitet në Kombëtare dhe këtë shpresoj ta kemi edhe në vazhdim. E kam pritur këtë ftesë, ndihem shumë mirë dhe shpresoj të bëj më të mirën. Jam i gatshëm të luaj kudo që do të më kërkojë trajneri Reja”, - theksoi Seferi, i cili luan në rolin e sulmuesit të krahut. Kështu, ai mund të zëvendësojë Grezdën dhe Uzunin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë