Motosport

Ndryshim epokal në F1, vendoset shifra limit për pagat e pilotëve

Janë kohë të vështira për të gjithë dhe bota e admiruar e Formulës 1 nuk mund të bëjë përjashtim nga rregulli. Vitin e kaluar u mor vendimi për të mos shpenzuar për telajot dhe motorët, duke përdorur të njëjtët edhe sezonin aktual, duke kursyer për të shpëtuar sidomos skuadrat e vogla.

Por, me sa duket, kaq nuk mjafton. Dhe tani janë pilotët e pasur në shënjestër. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit dhe “Liberty Media”, pronare e F.1, do të propozojnë një shifër-tavan për pagat e pilotëve. Do të ishte vërtet një ndryshim epokal, pasi pilotët janë mësuar që gjithmonë të jenë sportistët më të paguar.

Mendoni pak për të madhin Mikael Shumaker, që sipas “Forbes”, do të kapte shifrën 1 miliard dollarëve në karrierën e tij si kampion, duke arkëtuar rreth 40 milionë në sezon vetëm nga sponsorët. Tani që kriza ekonomike e shkaktuar nga Covid-19 ka pasur pasoja të rënda në lidhje me shitjet e shtëpive automobilistike, e gjitha kjo situatë nuk ka më sens.

Nga një garë e Formula 1. Gazeta Si, 7 prill 2021

Ideja është për të limituar pagat e yjeve të F.1 ka filluar të marrë jetë që në 2020-ën, me futjen e “budget cap”. Tani ka zëra se është përcaktuar edhe një shifër-tavan: çdo skuadër sezonet e ardhshme mund të shpenzojë maksimumi 30 milionë dollarë për dy pilotët titullarë dhe rezervat. Përjashtohen në këtë rast bonuset nga fitoret apo pozicioni në klasifikim, si dhe të drejtat e imazhit.

Sigurisht, është një iniciativë që do të krijojë polemika dhe debate, sepse pilotëve më të mirë do t’u preket ndjeshëm paga. Mjafton të marrim shembullin e Mercedesit, që ka rinovuar kontratën me Ljuis Hemiltonin për 2021-shin me rreth 40 milionë euro (45 milionë dollarë), kurse Valteri Botas fiton rreth 10 milionë dollarë. Në total është një shifër shumë më e lartë se limiti që pritet të propozohet. I njëjti diskutim vlen edhe për Red Bull-in, ku Maks Vershtapen fiton rreth 40 milionë dollarë. Diskutimet mes FIA-s, ”Liberty Medias” dhe shoqatës së pilotëve nuk do të mungojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë