Kur kemi kaluar gjysmën e sezonit aktual në Evropë, vetëm 3 futbollistë kanë shënuar 20 apo më shumë gola në kampionat duke qënë në një garë të ngushtë për Këpucën e Artë në kontinentin e vjetër. Dy veteranë dhe një aspirant kërkojnë një trofe individual që vlerësohet jo pak nga lojtarët në kampionatet kryesore në Evropë. 64 ndeshje për 62 gola ndahen me Harry Kane, Mohamed Salah dhe Mateo Retegui-t.

Shifra shumë pranë – gol për ndeshje – nëse “Faraoni” dhe italo-argjentinasi do të ishin më të saktë përpara portës. Në këtë moment kryeson sulmuesi anglez i Bayern që ka zhvilluar vetëm 19 sfida në Bundesliga dhe ka shënuar 21 gola. Akuzohet se shënon më shumë nga pika e bardhë dhe ndaj të vegjëlve por shifra të tilla do të mjaftonin që Bayern të kthehet në majën e futbollit gjerman dhe Kane të fitojë më në fund trofeun e parë.

Me 21 gola por në 23 ndeshje, i dyti renditet Mohamed Salah. Sulmuesi egjiptian i Liverpool nuk e ka rinovuar ende kontratën por mesa duket ky fakt nuk e pengon të shënojë lehtësisht në të parin sezon nën drejtimin e Arne Slot. Liverpool mund të ketë humbur mundësinë për 4 trofe në Qershor, por kryesimi në Premier League dhe Champions League mjafton për ta vendosur si pretendent kryesor për suksesin përfundimtar në muajin Maj.

22 ndeshje me Atalanta-n dhe 20 gola në Serie A, në shkallën e ulët të podiumit qëndron Mateo Retegui. Në sezonin e dytë në Apenine (vjet luajti te Genoa) dhe më të mirin në karrierë, ai është shndërruar në pikën e referencës në sulmin zikaltër. 25 vjeçari është forca lëvizëse e skuadrës së Gasperinit që kërkon titullin në Itali dhe provon të shkojë sa më larg në Champions League.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.