Drejtësia

Ndihmës Sekretari amerikan Robinson vizitë në SPAK, takon Altin Dumanin: Hapa të guximshëm për reforma të vështira

Gazeta Si - Ndihmës Sekretari për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit Todd D. Robinson e ka nisur vizitën e tij 2 ditore në Tiranë me drejtues të institucioneve të drejtësisë.

Mëngjesin e kësaj të marte, Robinson ka pasur një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani dhe kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj.

Po ashtu, ai takoi gjyqtarë, prokurorë, hetues dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese në vend duke i falënderuar për përkushtimin e tyre në drejtësi.

Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka postuar në faqen e saj zyrtare në Facebook fjalën e Robbinson, ku theksoi mbështetjen e SHBA-së për reformën në drejtësi, duke i nxitur partnerët shqiptarë të mos dorëzohen në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përmes një konference për shtyp, Ndihmës Sekretari amerikan Todd Robinson u shpreh se “shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për reforma të vështira".

Postimi i plotë i Ambasadës Amerikane:

“Në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligjzbatuese në Shqipëri, Ndihmës Sekretari Todd Robinson falënderoi partnerët tanë shqiptarë për guximin dhe përkushtimin e tyre për zbatimin e ligjit, transparencën, si dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë. Ai nënvizoi rëndësinë e një drejtësie të pavarur për Shqipërinë teksa ajo lufton krimin dhe korrupsionin.

“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur.

Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni…

Ne do mbështetemi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor…por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju…dhe unë mund t’jua premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara do jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë".

Fokusi i vizitës ishte pikërisht përcjellja e mesazhit se SHBA mbështet punën e Shqipërisë për forcimin sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ndërtimi i institucioneve të forta.

Gjatë qëndrimit dy ditor, Robinson do të takohet me kryeministrin Edi Rama, anëtarë të kabinetit të qeverisë por dhe përfaqësues të organeve të drejtësisë kundër trafikut të narkotikëve.

Pas Tiranës, ndalesa e radhës 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë