Futboll

Ndihma nga kryebashkiaku komunist dhe pasaporta rrufe, sekretet e yllit Ansu Fati

Më 27 tetor 2008, Peter Ofori Quaye, sulmuesi ganez i Olimpiakosit, shënonte në Champions ndaj Rozenborgut, duke u bërë shënuesi më i ri në kompeticionin më të madh të futbollit europian. Ai shënonte në moshën 17 vjeç e 195 ditë, duke i thyer rekordin bashkombasit Samuel Kufur, fitues i Championsit me Bajernin. Tashmë rekordin e ka një tjetër afrikan, Ansu Fati, i cili realizoi ndaj Interit në moshën 17 vjeç e 40 ditë.

Te Barcelona po shkëlqen tani ylli i Ansu Fatit, i cili ka lindur në Bisau, në kryeqytetin e Guinesë, më 31 tetor 2002. I ati në atë kohë ishte në Europë, duke kërkuar një rrugë për të ardhmen e familjes së tij. Ishte në Portugali, ku i kishin folur për Juan Manuel Sanchez Gordillo, komunist dhe kryebashkiak i një vendi të vogël prej 3000 banorësh, Marinaleda. Tani, pas 40 vjetësh, kryebashkiaku Gordillo është ende në detyrë dhe ai ka treguar si i ka dhënë një dorë Bori Fatit, babait të Ansu Fatit, pasi ai ishte paraqitur me dokumente false.

Ansu Fati, talenti i Barcelonës. Gazeta Si, 11 dhjetor 2019

E mori në punë si shofer, e sistemoi me shtëpi dhe e lejoi që pas pak vitesh të merrte në Andalusia edhe bashkëshorten dhe dy fëmijët, Ansu e Braima. Vëllai ka lindur në 1998-ën, edhe ai është futbollist, por me më pak fat se Ansu. Talenti i Barcelonës bënte mrekulli me topin dhe u afrua në akademinë e Seviljes nga Monki. Aty qëndroi pak, sepse Real Madrid dhe Barcelona nisën të ziheshin për të. Fituan katalanasit, sepse shkuan te babai Bori me kontratën gati. Te Sevilja nuk e pritën mirë këtë gjë dhe e lanë 12-vjeçarin Ansu jashtë skuadre për 6 muaj. Pastaj ai u transferua te “Masia” dhe gjithçka vjen më pas është histori dhe që ka shumë për të shkruar.

Kalimi nga Youth League në Champions League, nga Juvenil C te skuadra e parë pa kaluar nëpërmjet Barcelonës B, kalimi direkt te Spanja U-21, duke i garantuar një pasaportë në mëyrë të rrufeshme, kanë krijuar jo pak polemika. Madje edhe politike, duke ditur që emigrantët e zakonshëm duhet të presin shumë vite për të marrë pasaportën spanjolle. Kombëtarja e Spanjës është gati t’i hapë dyert. Ansu është lojtari më i ri që ka shënuar në La Liga me Barcelonën. Ai është debutuesi i dytë më i ri, pas Bojan Krkiç. Përpara ka një karrierë brilante.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë