Rend dhe Ligj

Ndeshja me Çekinë, Balla takon Dukën dhe paralajmëron: Kush vjen me flakadan, policia nuk do tolerojë

Gazeta Si - Pak orë para ndeshjes mes Shqipërisë dhe Çekisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Në fokus të takimit ishin masat për mbarëvajtjen e ndeshjes së rëndësishme për kombëtaren shqiptare. Ministri Balla kërkoi të mos ketë asnjë tolerim që mund të cenojë sigurinë e ndeshjes.

“Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike, - tha Balla. - Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive. Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve”.

Balla paralajmëroi se s’mund të dëmtohet një ëndërr historike për të shkuar në Europian, me veprime keqdashëse.

Ndërsa theksoi se tifozët kuq e zi që kapen me lëndë piroteknike nuk do të lejohen të hyjnë më në stadium.

Balla shtoi se “kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares kuqezi do të jetë ai person që do të vijë i përgatitur me flakadanë dhe prandaj reagimi ynë kësaj radhe do të jetë shumë i fortë”.

Ministri i Brendshëm nënvizoi se qoftë edhe një rast me flakadanë, sfida e kombëtares me Ishujt Faroe do të zhvillohet pa tifozë në “Air Albania” në nëntor.

“Publiku, sportdashësi duhet të kuptojë që nëse do të hidhen flakadanë në fushë, ndeshja e radhës në shtëpi dhe e fundit e kualifikueseve me Ishujt Faroe më 20 nëntor mund të zhvillohet me gjysmë stadiumi ose fare pa tifozë nëse ka incidente. Kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares kuqezi do të jetë ai person që do të vijë i përgatitur me flakadanë dhe prandaj reagimi ynë kësaj radhe do të jetë shumë i fortë”, u shpreh ministri i Brendshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë