Kombetarja

Ndeshja e revanshit, Reja freskon mesfushën dhe sulmin në Lituani

Lituania është i vetmi kundërshtar i grupit që e ka mundur Shqipërinë, madje në Tiranë. Sot kuqezinjtë mund të marrin “hak” në Lituani, në xhiron e katërt në Ligën e Kombeve, ku të gjitha skuadrat vijnë me pikë të barabarta, nga 4 secila. Është transferta e dytë radhazi brenda pak ditësh dhe trajneri Edi Reja pritet të bëjë pak ndryshime.

Trajneri italian ka menduar të freskojë mesfushën dhe sulmin me qëllimin që Shqipëria të mos dalë pa pikë nga kjo ndeshje. Nga sa është parë në seancën e fundit stërvitore, mbrojtja nuk ndryshon. Përpara Berishës do të jenë sërish Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla, një treshe që funksionoi mirë në Kazakistan, duke mos i lënë thuajse asnjë shans kundërshtarit për të rrezikuar kuadratin e mbrojtur nga kapiteni kuqezi. Mihaj është gati dhe mund të ketë minuta në këtë ndeshje.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Lituanisë. Gazeta Si, 14 tetor 2020

Mesfusha pritet të pësojë ndryshime në krahë dhe në qendër. Kritikat më të shumta për trajnerin Reja në lidhje me ndeshjen e fundit ishin për aktivizimin e Veselit në vend të Hysajt. Sot ka më shumë shanse që në të djathtë të jetë Albi Doka, kurse në të majtë Trashi është menduar të ulet në stol dhe vendin e tij ta marrë njëri mes Lenjanit dhe Memollës. Është një rol që i përshtatet më shumë Lenjanit, i cili është një lojtar që ndihmon shumë sulmin dhe mbrojtja me tre qendra do të mbulonte hapësirat që ai mund të linte prapa.

Në qendër të mesfushës janë të sigurt Bare dhe Kallaku, ndërsa lojtari i tretë me shumë mundësi do të jetë Qazim Laçi, nëse Abrashi nuk ia del të riaftësohet në kohë. Lojtari i Frajburgut u dëmtua në ndeshjen me Kazakistanin dhe ditët e fundit nuk është stërvitur me grupin.

Qazim Laçi në stërvitjen e djeshme. Gazeta Si, 14 tetor 2020

Në sulm, Armando Broja pritet të ketë një partner të ri, duke qenë se Manaj është jashtë forme, siç tregoi edhe ndeshja në Kazakistan. Seferi duket më i përshtatshmi për të luajtur me Brojën, por trajneri Reja ka marrë në konsideratë edhe Vrionin, kështu që vendimin do ta marrë në momentet e fundit. Çekiçi është gjithashtu një alternativë për repartin e avancuar, si sulmues i dytë. Mungesat e kuqezinjve në këtë ndeshje janë Strakosha, Roshi, Cikalleshi, Balaj, Hysaj, Ramadani dhe Selahi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë