Lajme

Ndërtesat mbi trojet shtetërore, qeveria merr vendim në prag të zgjedhjeve

Qeveria ka miratuar së fundmi vendimin e posaçëm, duke përcaktuar një procedurë të re të dhënies së titujve të pronësisë, sidomos për trojet e dhëna në përdorim dhe që janë prej vitesh të pahipotekura.
VKM-ja e miratuar në mbledhjen e fundit “Për përcaktimin e rregullave të bashkërendimit të punës së bashkive me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, për regjistrimin e trojeve të dhëna për ndërtim nga njësitë e qeverisjes vendore dhe për rregullimin e marrëdhënieve juridike të pronësisë mbi këto troje, për efekt regjistrimi” merret pikërisht përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Opozita deklaron se nuk hyn në zgjedhje dhe, në rast se PS pas 30 qershorit do të mbizotërojë masivisht në pjesën më të madhe e 61 bashkive, kjo do të bëjë që ky proces i varur nga vendimet e këshillave bashkiakë, të mos bllokohet.
VKM-ja shihet edhe si një kartë e PS-së për zgjedhjet lokale, për t’u dhënë zgjidhje një çështjeje që po zvarritet prej kohësh mbi hipotekimin e atyre ndërtesave mbi tokat e dhëna për qëllime ndërtimi nga bashkitë, ish-komunat dhe ish-këshillat e rretheve (në vijim të quajtura “organe vendore”), pas datës 10.8.1991 deri në hyrjen në fuqi të ligjit “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”.

Qëllimi i kësaj nisme, sipas Qeverisë, është edhe vendosja nën një regjim të rregullt juridik të procedurës së ndjekur nga ana e njësive të qeverisjes vendore për kalimin e pronësisë së trojeve të dhëna për ndërtim, për efekt regjistrimi në regjistrin e pasurive të paluajtshme; apo dhe heqjen e kufizimeve nga regjistri i pasurive të paluajtshme, kur aktet e kalimit të pronësisë janë regjistruar më parë.
“Regjistrimi i akteve të kalimit të pronësisë, në rastet kur ato nuk janë regjistruar më parë dhe përfundimi i procedurave të kalimit të pronësisë mbi këto troje nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në rastet kur nuk janë përmbyllur dhe regjistrimin e akteve të kalimit të pronësisë në regjistrin e pasurive të paluajtshme”, janë disa nga objektivat e kësaj VKM-je.

Kanë të drejtë të përfitojnë nga ky vendim shtetasit që janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, pavarësisht mangësive në procedurë. Këto subjekte përfitojnë regjistrimin e dokumentit të pronësisë ose heqjen e kufizimit nga regjistri, pas plotësimit të mangësive, sipas rregullave të këtij vendimi.

Këtu përfshihen subjektet që nuk janë pajisur nga organet vendore me dokumentacion pronësie mbi tokën, por për ta është miratuar të paktën vendimi i këshillit të organit vendor për dhënien e truallit për ndërtim, përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi. Në favor të këtyre subjekteve përfundohen procedurat e kalimit të pronësisë dhe kryhet regjistrimi i dokumentacionit të pronësisë dhe/ose heqja e kufizimit nga regjistri.

Përgjegjëse për regjistrimin e titujve të pronësisë do të jenë bashkia dhe Agjencia e Kadastrës. Subjekti që nuk zotëron dokumentacionin e plotë të përcaktuar në pikën 6, të këtij vendimi, por që ka të paktën vendimin e këshillit të organit vendor për dhënien e tokës për ndërtim, ka të drejtë t’i paraqesë kërkesë bashkisë përkatëse për kryerjen e procedurës së kalimit të pronësisë. Bashkia procedon me plotësimin e dokumentacionit dhe dërgimin e tij për regjistrim, kundrejt pagesës ku çmimi do të jetë sipas vlerës së referencës. Drejtoria vendore e ASHK-së, pas administrimit të dokumentacionit nga bashkia, kryen regjistrimin brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës për shërbim nga subjekti i interesuar. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur për pasurinë rezulton të ketë tituj pronësie të të tretëve të mbivendosur apo kur ajo është e zënë me ndërtime pa leje të të tretëve.

Sipas VKM-së, është parashikuar që të ardhurat që do të përfitohen nga ky proces, do të ndahen në mënyrë të barabartë mes Agjencisë së Kadastrës dhe bashkive. Shteti do të përdorë të ardhurat si fond për kompensimin e ish-pronarëve. Ndërsa për rastet kur ka mbivendosje dhe përplasje, çështja mund të shkojë dhe gjykatë.
Nëse mbi pasurinë gjendet ndërtim, por për të mungon dokumentacioni sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit ose është i pamjaftueshëm për regjistrimin e tij, zbatohen procedurat e legalizimit, sipas ligjit në fuqi. Kur dokumentacioni sipas legjislacionit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit është i pamjaftueshëm për regjistrimin e objektit dhe në të nuk ka shtesa tej projektit apo ndryshime të funksionit të hapësirave, ndërtimi trajtohet i tëri si “objekt pa leje”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë