Biznes

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mbajnë në punë rreth 82% të të punësuarve

Nga Gazeta ‘Si’ - Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në vend (NMV) përbëjnë 99.8% të totalit për vitin 2021, njësoj sa një vit më parë. Ato mbajnë të punësuar 81.6% të tregut, me rënie 0.3 pikë përqindje nga viti 2020.

Në strukturën e punësimit sipas aktiviteteve ekonomike, mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 69%. Nga ana tjetër, ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë nxjerrëse me 29.5%, ndërkohë ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të punësimit në sektorin e industrisë përpunuese me 38.1%

NMV-të kanë realizuar 79% të shitjeve neto dhe 74% të investimeve dhe pjesa tjetër i përket ndërmarrjeve mikro.

Rreth 10.6% e shitjeve neto të NVM kanë shkuar për eksport. Ato të mesme kryejnë përqindjen më të lartë të eksporteve me 18,3% të shitjeve neto të realizuara prej tyre.

Mikrondërmarrjet kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar (diferencë e vlerës së prodhimit me konsumin) në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 53%. Ndërmarrjet e vogla kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar në sektorin e energjisë elektrike, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 37 %. Ndërmarrjet e mesme kanë përqindjen më të lartë të vlerës së shtuar në sektorin e industrisë përpunuese me 40% 

Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme(NMVM-të) janë tërësia e ndërmarrjeve në të cilat punësohen më pak se 250 persona dhe realizojnë një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë.

Ndërmarrje e vogël konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 50 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose bilanc total vjetor jo më të madh se 50 milionë lekë.

Mikrondërmarrje konsiderohet një ndërmarrje me më pak se 10 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizme ose bilanc total vjetor jo më të madh se 10 milionë lekë.

Ndërmarrje e mesme konsiderohet një ndërmarrje me 50 persona të punësuar deri në 249 persona të punësuar, e cila ka një shifër afarizmi ose një bilanc total vjetor nga 50 milionë lekë deri në 250 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë