Futboll

Nderim Nexhipi drejtor sportiv në Turqi, hap i madh në karrierë

Gazeta Si – Vetëm pak ditë pasi u largua nga ekipi i Ballkanit, ekipi kampion në Kosovë, Nderim Nexhipi është prezantuar si drejtori i ri sportiv i Manisas. Një hap i madh i rëndësishëm në karrierë për ish-kapitenin e Partizanit.

Nexhipi tashmë merr një rol të rëndësishëm në krye të klubit të ligës së parë turke. Ish-futbollisti i njohur, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, do të drejtojë merkaton e klubit turk dhe mund të jetë një urë e mirë bashkëpunimi me elementë cilësorë të futbollit shqiptar.

Më parë Nexhipi ka mbajtur postin e drejtorit sportiv te Kukësi në Superiore dhe pastaj te Ballkani në Kosovë. Me këtë të fundit ishte pjesë e atij suksesi të madh me dy titujt kampion dhe kualifikimin deri në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Jam i lumtur që jam pjesë e Manisës, falenderoj presidentin për mundësinë e dhënë. Duam të ndërtojmë një skuadër që të fituese. E ndjek futbollin turk prej vitesh dhe jam këtu për arritje të reja në karrierë. Do të bëjmë gjithçka që Manisa të shkojë në Superligë”, - ka thënë Nexhipi gjatë prezantimit.

Pas Igli Tares, mjaft i suksesshëm te Lacio dhe i larguar vetëm disa ditë më parë, një tjetër drejtor sportiv shqiptar do ta ushtrojë këtë detyrë jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë