Analize

Ndarja e qytetërimeve në Paris

Vrasja makabre e mësuesit francez  të gjeografisë, të cilit iu pre koka në Paris, pesë vjet pas tragjedisë së Charlie Hebdo-së solli edhe njëherë debatin mbi lirinë e shprehjes.

Pikërisht këtë po u mësonte 47-vjeçari Samuel Paty nxënësve të tij, duke marrë shembull asgjë më pak se karikaturat e revistës  së famshme, në pesë vjetorin e vdekjes së pesë gazetarëve dhe karikaturistëve të së përjavshmes satirike franceze.

I vetëdijshëm se shfaqja e tyre mund të fyente ndjenjat fetare të dikujt, mësuesi i pat lajmëruar nxënësit se ishin të lirë të dilnin nga klasa. Por pak e dinte se ajo orë mësimi mbi liritë themelore të botës demokratike do të sillte vdekjen e tij, pas regjistrimit video që u bë viral mes besimtarëve myslimanë të një xhamie në kryeqytetin francez, të cilët të fyer menduan se mësuesi e “meritonte  të frikësohej”.

Nga protestat në Paris, pas vrasjes së mësuesit Samuel Paty

Mesazhi i tij u cilësua si nxitës urrejtjeje, ndërsa një 18-vjeçar me origjinë çeçene, që nga thirrjet e dëgjuara prej dëshmitarëve “Allahu Akbar” u la të besohej se ishte i besimit mysliman i preu kokën mësuesit francez.

Ngjarja çoi në mbylljen e xhamisë në fjalë nga presidenti Macron që nuk ngurroi ta quante “Sulm terrorist islamik”.“Ata nuk do të fitojnë...ne do të veprojmë” do të shprehej kreu i pallatit Elysee, ndërsa në Paris nisën protestat në homazh të mësuesit të ndjerë, duke ringjallur edhe njëherë frymën e Charlie Hebdo mbi lirinë e shprehjes. Duke iu referuar me “ata” myslimanëve, ku deri më tani janë ndaluar nga policia 12 të dyshuar për ngjarjen – megjithëse autori u ekzekutua nga policia në vend – presidenti Macron bëri ndarjen e madhe, edhe pse shumë besimtarë myslimanë janë qytetarë francezë.

Sloganet “Je suis Charlie” u zëvendësuan me “Je suis enseignant”, apo "Je suis Samuel", ndërsa tubuesit ishin mbledhur në  Place de la République.“Ne jemi Franca”, do të shprehej kryeministri Jean Castex, duke e çuar retorikën përtej një sulmi terrorist, drejt ndarjes së qytetërimeve. Ministri i Arsimit Jean-Michel Blanquer është shprehur se do të përfaqësojë qeverinë në mbështetje të mësuesve, sekularizmit, lirisë së shprehjes dhe kundër islamizmit.

Në një projekt kërkimor të titulluar “Përse Integrimi mysliman dështon në shoqëritë me trashëgimi të krishterë nga  Universiteti i Harvardit më 2016-n,  gjurmoheshin rrënjët e këtij integrimi të dështuar në Granë dhe më gjerë, në Europë. Dy emigrantë që janë të ngjashëm në çdo mënyrë, veç identitetit fetar, integrohen në mënyra krejt të ndryshme në shoqëritë pritëse.

Duke studiuar një popullatë të të krishterëve senegalezë dhe emigrantëve myslimanë nga komunitetet e përziera fetare të Serer dhe Joola, që emigruan në Francë nën të njëjtat kushte, ata zbuluan se emigrantët  myslimanë përballen me diskriminim më të madh në tregun e punës, fitojnë më pak të ardhura në muaj, shprehin më pak atashim me vendin pritës dhe shfaqin një atashim shumë më të madh me vendin e origjinës, në krahasim me të ngjashmit e tyre të krishterë. Dhe këto modele nuk përmirësohen as në brezat pasardhës.

Saïd and Chérif Kouachi, dy vëllezërit që mësynë zyrat e Charlie Hebdo-së , të armatosur me pushkë dhe armë të tjera vranë 12 persona dhe plagosën 11 të tjerë, u lindën, u rritën dhe u radikalizuan nga “Al –Qaeda” në Paris.Ata e hiqnin mjekrën rregullisht, për të larguar dyshime e  mjekrave që mbajnë shumë myslimanë. Visheshin me xhinse dhe atlete, duke mos lënë gjurmë të planeve të tyre xhihadiste.Sipas studimit të kryer nga Harvardi, shkaku i dështimit të integrimit është i dyanshëm: Ismlamofobia nga njëra anë e shoqërisë franceze dhe prirja e emigrantëve myslimanë për t’u identifikuar më shumë me komunitetet e tyre të lindjes, si përgjigje.

Si rezultat, Europa po krijon një klasë të emigrantëve të papunë, që ndjejnë pak ose aspak lidhje me shoqëritë pritëse.Rezultatet ishin të qarta. Punëdhënësit kishin më shumë se dy herë gjasa t’i ofronin një intervistë pune një të krishteri, sesa një myslimani. Në disa lojëra eksperimentale të mbajtura në distriktin 19 të Parisit, kur sererët de joolat ndërvepronin me subjektet francezë, ata zbuluan edhe njëherë se francezët shprehin përçmim për myslimanët, shumë më shumë sesa bëjnë me të krishterët senegalezë.

Foto me kopertinën e satirikes franceze, Charlie Hebdo me karikaturën e Charlie Hebdo, në ditën e gjyqit të sulmeve, Paris 2 shtator 2020.

Pas orës mbi lirinë e shprehjes, ndaj mësuesit francez mbërritën ankesat e prindërve myslimanë në shkollë, që më pas përshkallëzuan në mesazhe kërcënuese, duke çuar më pas në vrasjen e tij. Për myslimanët, çdo portretizim i profetit Muhamed, është blasfemues. Presidenti i Unionit Kombëtar të Mësuesve të shkollave në Francë do të  shprehej pas ngjarjes se fëmijët do të duhet të kuptojnë se blasfemia mund të tronditë, por është e ligjshme, ndërsa liria e shprehjes është shtylla kryesore e demokracisë.

Në Francë, ligji i blasfemisë pushoi së ekzistuari me përparimin e Republikës  nga Kisha Katolike, mes 1789-s dhe 1830-s. Në Francë, parimet e laikes – ndarja e kishës dhe shtetit – u themeluan në ligjin e 1905-s në ndarjen e Kishës nga Shteti dhe më 1945-n,  u bë pjesë e kushtetutës.

Autorët, humoristët, karikaturistët dhe individët kanë të drejtë të  satirizojnë njerëzit, aktorët publike dhe religjionet, një e drejtë që  është e ekuilibruar nga Ligji kundër  Shpifjes. Të drejta dhe mekanizma ligjorë të hartuara për të mbrojtur lirinë e fjalës nga pushtetet vendase, mes të cilave dikur ishte e fuqishmja Kishë Katolike e Francës.

Viktimat e sulmit në zyrat e revistës Charlie Hebdo, 2015

Megjithëse imazhet e Muhamedit nuk janë të ndaluara në mënyrë të  qartë nga vetë Kurani, pikëpamje islame kanë kundërshtuar imazhet njerëzore, veçanërisht ato të profetëve.

Pikëpamje të tilla, kanë fituar terren mes grupeve militante islamike. Sipas kësaj, disa myslimanë kanë pikëpamjen se satira ndaj  Islamit, të përfaqësuesve fetar dhe mbi të gjitha e profetëve islamikë është blasfemi në islam , i dënueshëm me vdekje. Një ndjenjë e paraqitur përmes aktit konkret në vrasjen e kineastit kontrovers holandez, Theo Van Gogh, më 2004, pas filmit “Nënshtrimi: Pjesa e Parë”, me regji të tij, që kritikonte trajtimin e grave në islam.

Por ishin ngjarjet e 11 shtatorit të vitit 2001, në sulmet  ndaj Kullave Binjake në ShBA që do t’i jepnin jetë një periudhe pas Luftës së Ftohtë, që në marrëdhëniet ndërkombëtare do të njihej si Lufta kundër Terrorizmit, që do ta preknin në mënyrë dramatike botën myslimane.

Liderët e botës në Marshimin e Paqes, Paris 2015

Katër sulmet me bombë në Londër,  më 7 korrik të 2005-s që i morën jetën më shumë se 50 njerëzve dhe plagosën700 të tjerë, tmerroi botën. Kjo bëri që minoritetet e veçanërisht myslimanët britanikë  të ndiheshin të brishtë dhe të druheshin për sigurinë e tyre. Liderët e komunitetit mysliman europian reaguan menjëherë duke i dënuar bombardimet.

Pati për këtë incidente, megjithëse sporadike në komunitete myslimane të Europës. Vite më vonë si pasojë e këtyre ndasive, në Zelandën e Re sulmi terrorist i një 28 vjeçare të gjatë lutjes së te premtes në një xhami në Christchurch la të vdekur 51 besimtarë myslimanë.

Më shumë sesa përplasje e qytetërimeve, dukej një betejë brenda botës myslimane mes prirjeve të lidhura me islamin liberal dhe sekularizmin nga njëra anë dhe interpretimet radikale dhe të dhunshme nga ana tjetër.Radikalët janë minoritet, por në shumë zëna kanë zhvilluar rrjetet të gjera në botën myslimane dhe përtej saj.  Në pjesën  më të madhe, myslimanët e moderuar ndihen të ekspozuar dhe të izoluar. 

Kryeministri Rama me përfaqësuesit e Klerit Fetar, Paris 2015.

Për të ndarë terroristët nga myslimanët, por edhe për  të dënuar sulmet në revistën Charlie Hebdo kreu i komuniteti Mysliman të Shqipërisë, së bashku me krerët e feve të tjera, të njohura në Shqipërinë e “tolerancës së ushtrimit të besimeve” u rreshtuan në krah të kryeministrit Rama dhe liderëve të tjerë botërorë në Marshimin e Paqes në Paris. Por ndryshe nga ai akt historik që pa përfaqësuesit e klerit mysliman, bektashi, katolik e ortodoks krah për krah në dënimin e terrorizmit, nga bota shqiptare ndjenjat ndaj ngjarjes së  fundit janë të ndryshme.

Ambasadori i Kosovës në Paris, Qëndrim Gashi është përballur me kritika të ashpra në vendin e tij, pasi në shenjë solidariteti me mësuesin e vrarë në Paris postoi një artikull të së përditshmes “Le Figaro” me karikaturat e Charlie Hebdo.Reagimet e ashpra ndaj Gashit nuk kanë qenë vetëm nga Bashkësia Islame e Kosovës, por edhe nga politika. Një deputete e Vetëvendosjes Labinotë Demi-Murtezi,ka postuar në rrjetet sociale një mesazh ku kërkon shkarkimin e ambasadorit dhe  shkruante  se “është e papranueshme akti i përqeshjes së figurës së profetit tonë Muhamed (paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të).

Por me gjithë lirinë individuale të ushtrimit të fesë, e garantuar në Kushtetutë, Kosova përveçse një shtet më shumicë myslimane,  me tipare multi-etnike, është një shtet laik dhe deputetja është përfaqësuese e një Parlamenti të një shteti të ndarë nga  feja. Disa madje në Kosovë e kanë cilësuar veprimin e ambasadorit Gashi, si vepër penale, kur përqeshen simbole kombëtare,  racore, etnike apo fetare.

Sipas nenit 147 të Kodit Penal të Kosovës  “kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mosdurim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet” dhe në paragrafin tre të këtij neni thuhet “kushdo që kryen veprën penale nga paragrafi 1. i këtij neni përmes shtrëngimit, rrezikimit të sigurisë, përqeshjes së simboleve kombëtare, racore, etnike apo fetare, duke dëmtuar pasurinë e personit tjetër ose duke përdhosur monumentet apo varrezat, dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet”.

Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi.

Qëndrimi  i Gashit ka bërë që të premten në Prishtinë të organizohen protesta për shkarkimin e tij si ambasador të Kosovës në Francë.“Unë s’do ta bëja kurrë një ofendim komunitar nga çfarëdo pozite zyrtare, për arsye njerëzore e jo nga konsekuencat e mundshme ligjore. Kushdo që dyshon se unë kam shkelur ligjin, duke e shpërndarë një artikull që e jep kronologjinë e një akti terrorist, le të më sfidoje në gjykatë, në Kosovë ose Francë. Kështu duhet të zgjidhen dilemat në shoqërinë tonë, përmes ligjit, e jo përmes kërcënimeve e dhunës”, do të reagonte Qëndrim Gashi, i cili shtonte se:

“Duke u solidarizuar me Francën sot, ne e sfidojmë jo vetëm shtrirjen tek ne të islamit politik apo cilësdo ideologji politiko-shtetërore të bazuar kryekëput në religjion, por edhe e avancojmë humanizmin botëror, fal të cilit ne sot jemi të lirë në Kosovë”, duke theksuar se ligjet e republikës laike  janë mbi të gjitha normat e tjera.“Dhe këto ligje na mundësojnë ta shfaqim respektin për të gjitha komunitetet fetare në Kosovë, sidomos për komunitetin më të madh, atë mysliman, respekt të cilin e ndaj edhe unë”, shtonte Gashi duke thënë se nuk i përkrah përpjekjet për instalim të teokracisë apo të ekstremizmit fetar.

Sipas gazetës “Le Monde” , Kosova renditet e katërta për dërgimin e xhihadistëve 125 luftëtarë për 1 milion banorë. Sipas artikullit të 17 qershorit të së përditshmes franceze, ndër vendet e rajonit, Kosova radhitet edhe para Bosnjës, e shumë para Shqipërisë.Me 24 xhihadistë të dyshuar të identifikuar për një milion banorë, Franca është në pozitën e 13-të, pas  Belgjikës me 40 dhe Danimarkës  me 27, në Perëndim.

Një burrë mban kopertinën e Charlie Hebdo gjatë demonstratave në Renë, 17 tetor 2020.

Por në luftën me terroristët që përtej akteve makabre që kryejnë  në Perëndim, shkaktojnë dëme shumë më të mëdha dhe afatgjata ndaj myslimanëve të të gjithë botës, të cilët pas çdo akti të tillë e gjejnë veten në shënjestrën e stereotipave dhe përçmimit nga Bota Perëndimore që përmes klisheve e barazon një ithtar të Islamit në fondamentalist e kjo sjell rrethin vicioz të myslimanëve që nuk integrohen në Europë dhe nuk lidhen me vendin pritës, as kur lindin atje dhe mbajnë një pasaportë, që çon në përplasjen e qytetërimeve, që profetizonte profesori i Harvardit, Samuel Huntington vite më parë, ku doktrinat politiko-ekonomike të Luftës së Dytë Botërore ia lanë vendit ndeshjeve të kulturave. Me ngjarjet në Francë- ku liria e shprehjes edhe për të satirizuar një figurë fetare përplaset me pasoja fatale me interpretimet ekstremiste të një besimi fetar – Parisi bëhet vija ndarëse e qytetërimeve.../S.Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë