Kosova

Ndalimi i dinarit/ Borrell: BE i shqetësuar për serbët e Kosovës

Nga Gazeta 'Si' - Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë se Brukseli është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit dhe pasojat që ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.

“Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Borrellit të publikuar në faqen e Parlamentit Europian të enjten (4 prill).

Në pyetjet e deputetit francez Dominik Bild se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit, vendimin e BQK-së dhe në lidhje me sistemin arsimor dhe shëndetësor për serbët e Kosovës, Borrelli ka thënë se këto është dashur të negociohen bashkë me Asociacionin.

“Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar më tej ai.

Ai ritheksoi se themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është arritur nga Serbia dhe Kosova në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Në përgjigjen me shkrim thuhet se BE-ja ka përgatitur draftin evropian të statutit të Asociacionit, në konsultim me ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, duke respektuar marrëveshjet përkatëse nga dialogu, si dhe kornizën ligjore të Kosovës dhe “vijat e kuqe të palëve në masën e mundshme”.

Më 21 tetor të vitit të kaluar, draftstatuti iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Më 26 tetor, Prishtina ka njoftuar BE-në se do ta pranojë propozimin, me kusht që Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Aneksi dhe vetë draftstatuti i Asociacionit të nënshkruhet zyrtarisht nga Kurti dhe Vuçiçi”, ka deklaruar Borrelli.

Ai shtoi se Beogradi ka përjashtuar çdo formë nënshkrimi dhe se që atëherë përfaqësuesit e Kosovës nuk janë përfshirë në bisedime për Asociacionin.

Ndërkohë, sot në Bruksel është duke u diskutuar për dinarin, ku po marrin pjesë kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë