Nga Gazeta ‘Si’- Deputeti Redi Muçi ngriti në Kuvend çështjen e aktivistit Baki Goxhaj që ndodhej në flotiljen “Sumud” duke dërguar ndihma humanitare në Gaza para se të ndalohej nga izraelitët.
Muçi tha se qeveria shqiptare po hesht, ndërkohë që vendet e tjera kanë kërkuar llogari nga ambasadorët izraelitë.
Deputeti kritikoi edhe vizitën e Ramës në Izrael të disa muajve më parë duke thënë se u përkul para Netanyahut që kërkohet për krime lufte.
Sipas tij qeveria duhet të ushtrojë më shumë presion ndaj ambasadorëve dhe qeverisë izraelite.
“Dua të shtroj pyetjen sesi ka mundësi që qeveria shqiptare hesht ndërsa një shtetas shqiptar, Baki Goxhaj, është marrë peng në ujëra ndërkombëtare së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë duke çuar ndihma humanitare në Gaza?
Ndërkohë, kryeministra të tjerë kanë thirrur ambasadorët izraelitë të vendeve përkatëse për të kërkuar llogari dhe kërkuar falje për qëndrimin dhe shfaqje të turpshme që ka dhënë shteti i tyre. Pse heshtim ne për faktin që një shtetas shqiptar është marrë nga regjimi gjenocidal dhe mbahet në kampe torturash? Pse nuk reagoni dhe çfarë do të ndodhte nëse do të merrej peng nga rusët? A do të nënshkruhej atëherë rezoluta për t’i shpallur shtete terroriste? A jeni krenarë që Rama shkoi në shtëpinë e Benjamin Netanyahut dhe u përkul para tij, para një njeriu që kërkohet për krime lufte dhe kundër njerëzimit? A ndiheni krenarë për këtë gjë? Nga kush keni frikë?
Duhet t’i jemi mirënjohës Bakiut sepse është ai sot ambasador i vlerave shqiptare nëpër botë dhe askush më mirë se ai s’e përfaqëson më mirë Shqipërinë në këtë sallë. S’mjafton të kërkojmë me kortezi nga qeveria izraelite ç’po ndodh me të, por qeveria dhe ministri i jashëm duhet të thërrasë ambasadorin dhe ta vërë para përgjegjësisë”, tha Muçi.
Ministria e Jashtme njoftoi se Goxhaj është transferuar në Izrael, ndërsa tha se Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Tel Aviv është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet izraelite për të ndjekur rastin dhe për të siguruar informacion mbi gjendjen e tij.

Ministria bëri të ditur se përfaqësues të ambasadës shqiptare pritet të zhvillojnë së shpejti një takim me Goxhajn, me qëllim ofrimin e asistencës së nevojshme konsullore.
Raportimet e mëhershme në mediat shqiptare e lidhën rastin e tij me ndërhyrjen ndaj flotiljes dhe mungesën fillestare të informacionit mbi vendndodhjen e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje