Bota

Ndahet nga jeta sheiku Khalifa, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe

Gazeta Si - Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Khalifa bin Zayed Al-Nahyan, ka vdekur në moshën 73-vjeçare.

Mediat shtetërore e raportuan lajmin, duke saktësuar se vdekja ka ndodhur për shkak të një sëmundjeje kundër së cilës ai luftonte prej disa vitesh.

Ministria e Presidencës, ka shpallur prej të premtes 40 ditë zie me flamuj në gjysmështizë dhe pezullim të punës në sektorin publik dhe privat për tre ditët e para.

Sheikh Khalifa ishte ndër njerëzit më të pasur në planet me një pasuri të vlerësuar prej mbi 21 miliardë dollarë.

Ai njihej për politikat e modernizimit të të cilit ndihmuan në transformimin e vendit të tij në një fuqi rajonale.

Roli i Khalifa kishte qenë kryesisht ceremonial që kur ai pësoi një goditje në tru dhe iu nënshtrua një operacioni në vitin 2014. Vëllai i tij dhe princi i kurorës së Abu Dhabit, Sheiku Mohammed bin Zayed, është parë gjerësisht si udhëheqësi de-fakto i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Khalifa u emërua si presidenti i dytë i Emirateve të Bashkuara Arabe në vitin 2004, duke pasuar babanë e tij dhe themeluesin e kombit, Sheikh Zayed al Nahyan.

I lindur në vitin 1948 në Rajonin Lindor të Abu Dhabit, Sheikh Khalifa ishte djali i madh i Sheikh Zayed. Para rolit të tij si president, ai ishte princi i kurorës së Abu Dhabit dhe drejtoi Këshillin e Lartë të Naftës të Abu Dhabit, i cili harton politikën e naftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë