Njerez

Ndahet nga jeta në moshën 81-vjeçare aktorja Edi Luarasi

Këtë të premte është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare aktorja e njohur shqiptare Edi Luarasi e cila debutoi në skenë që në moshë të re.

Lajmi është bërë me dije nga miqtë përmes postimeve në rrjetet sociale.

Ajo u diplomua për aktore në 1963 dhe u emërua aktore në Teatrin Popullor. Roli i parë i saj ishte Vera në dramën “Shtëpia në bulevard” më 1963 me regjisor Kujtim Spahivoglin.

Më pas, në dhjetë vjet, vijnë një sërë rolesh të tjerë, duke filluar nga Lena tek “Doktor Aleksi”, Kordelja tek “Mbreti Lir”, Cuca tek “Cuca e maleve”, Kristina tek “Fytyra e dytë”, etj.

Pasi u përjashtua nga Teatri Kombëtar në 22 janar 1974 për arsye politike, u rikthye në skenë në mars 1991, me interpretimin të rolit të damës plakë në dramën “Vizita e Damës plakë”.

Ajo Interpretoi edhe në 1995 në dramën “Hekurat”, më vonë, me sukses në dramat “Cilindri”, “Streha e të harruarve”, etj.

Ka interpretuar pak role në filmin artistik”. Në këto role si dhe në tre filmat ku luajti, “Vitet e para”, «Gjurmët», dhe «Ngadhnjim mbi vdekjen», Edi dallohej për temperamentin e fuqishëm dhe pak rebel, për intuitën dhe imagjinatën artistike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë