Njerez

Ndahet nga jeta legjenda e portës shqiptare, Sulejman Maliqati

Gazeta Si - Futbolli shqiptar ka humbur sot një nga figurat e tij më ikonoke. Në moshën moshën 94-vjeçare është ndarë nga jeta ish-portieri i famshëm i Kombëtares dhe disa skuadrave tona, si Partizani, Besa dhe Lokomotiva, Sulejman Maliqati.

Të gjithë e njohin me nofkën “Macja e Zezë”, që e mori falë aftësive të tij të jashtëzakonshme si sportist. Maliqati kujtohet gjithashtu edhe si “Heroi i Lajpcigut”. Me atë që dha në fushat e blerta në periudhën 1950-1964 ai bën pjesë të legjendat e futbollit shqiptar.

Maliqati kur dekorohej nga ish-presidenti Meta. Gazeta Si, 5 tetor 2022

Një rrëzim para pak ditësh rezultoi fatal për ish-portierin, pasi pësoi dëmtime serioze dhe nuk mundi të mbijetonte. Të enjten qytetarët durrsakë dhe bota e futbollit në vend do të përcjellin për në banesën e fundit këtë figurë të lartë të sportit në vend.

Maliqati është nderuar dy vjet më parë nga ish-presidenti Ilir Meta me titullin “Nderi i kombit”. Ai është nderuar gjithashtu me titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ndërsa Kavaja, qyteti i lindjes, e ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi i Kavajës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë