Njerez

Ndahet nga jeta Gudar Beqiraj, akademik dhe ish-peshëngritës

Gudar Beqiraj, akademiku i njohur dhe ish-presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare. Si për ironi të fatit, ai është ndarë nga jeta pikërisht në ditën e lindjes. Lajmi është mësuar nga Akademia e Shkencave, që shkruan: “Familja humbi njeriun e shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI!”. Beqiraj ka qenë në krye të Akademisë së Shkencave ën vitin 2017 për pak kohë.

Gudar Beqiraj mbante titujt “Profesor” dhe “Doktor”. Ai është diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës dhe është specializuar në Francë për Gjeostatistikë dhe Gjeofizikë. Titullin “Profesor” e ka marrë në vitin 1994, ndërsa titullin “Akademik” në vitin 2003. Në 2012, Gudar Beqiraj ishte edhe anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve. Ai ka marrë pjesë në simpoziume të ndryshme ndërkombëtare, duke qenë mjaft aktiv në jetën akademike. Beqiraj njihet si realizues i algoritmeve e programeve të ndryshme të aplikuara në fusha të ndryshme, si gjeologjia, gjeofizika etj.

Në periudhën 2007-2009, Gudar Beqiraj ka qenë Dekan i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit. Ka qenë për 45 vjet pedagog matematike dhe informatike, si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet ‘80. Beqiraj ka ushtruar edhe vetë sportin e peshëngritjes për në vitet ’70. Në vitin 1982 u bë arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje. Për 8 vjet, konkretisht në periudhën 1992-2000, Gudar Beqiraj ka mbajtur postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes.

Ka mbajtur edhe poste të tjera të rëndësishëm sa i takon sportit, si zëvendëspresident i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Prej vitit 1993 ka qenë president i fondacionit humanitar “Sue Ryder Care Albania” e më pas anëtar bordi i tij. Në vitin 2008 i ëhstë akorduar çmimi “Personalitet i Vitit” nga Bashkia e Tiranës, kurse në vitin 2016 ka marrë “Medaljen e Artë” për kontributin 50-vjeçar në peshëngritje nga Federata Botërore e Peshëngritjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë