Njerez

Ndahet nga jeta Dalip Greca, drejtoi gazetën ‘Dielli” në Amerikë

foto e dalip greces

Nga Gazeta Si - Ndahet nga jeta në moshën 72-vjeçare gazetari shqiptar në Amerikë, drejtuesi i gazetës “Dielli”, Dalip Greca.

Lajmin e njoftoi “Gazeta Dielli”, teksa shkruan se Greca prej disa ditësh po luftonte me jetën, ndërsa mëngjesin e djeshëm mbylli sytë përgjithmonë.

“Sot, të gjithë kemi humbur shumë. Miqtë një mik special, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pazëvendësueshëm në kauzat ku Dalip Greca bëhej pjesë. Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve, të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të ndjera, më të sinqerta e më të dhimbshme familjes Greca për humbjen e pakthyeshme të mikut tonë Dalip”, shkruan Gazeta “Dielli”.

Ai ishte një ndër gazetarët që hulumtoi, intervistoi, investigoi personalitete dhe njerëz të thjeshtë të komunitetit dhe fitoi respektin e shqiptarëve të Amerikës. Ai arriti të intervistojë shumë nga figurat e diasporës nacionaliste, të cilët e patën lënë Shqipërinë në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe ka gati për botim librin- “Armiqtë që e donin me shpirt Atdheun”.

Në gusht të vitit 2009, Dalip Greca filloi drejtimin e Gazetës Dielli, e cila nuk botohej prej më shumë se 2 vite e gjysmë. Ai e ringjalli gazetën më të vjetër të botës shqiptare, duke e kthyer atë në lavdinë e dikurshme të themeluesve. “Dielli” nën drejtimin e Dalip Grecës pësoi ndryshime thelbësore.

Gazetari Dalip Greca prej 2 dekadash ka dhënë kontribut edhe në median televizive. Ai ishte gazetar i jashtëm për Televizionin Kultura Shqiptare në New York (Albanian Culture TV), ndërkohë që vazhdonte të bashkëpunonte me median në Tiranë dhe Prishtinë. Greca është një ndër kontributorët e spikatur në ruajtjen e traditave dhe kulturës shqiptare në SHBA; është pjesë e pandarë e Federatës Panshqiptare të Amerikës, anëtar i kryesisë dhe Këshillit, organizator dhe drejtues i shumë veprimtarive të Federatës si: Si përvjetorët e Pavarësisë dhe Ditës së Flamurit Kombëtar, 100 Vjetorit të Vatrës, 110 Vjetorit të Gazetës DIELLI, Vitit të FAIK KONICËS, Simpoziumin për Arshi Pipën, Mit’hat Frashërin, Revoltën e Spaçit, bashkorganizator dhe drejtues i konferencës “Demokracia nuk pret”, etj.

Kush ishte Dalip Greca

Dalip Rexhep Greca ka lindur në Lushnje me 10 tetor 1950. Mësimet bazë i bëri në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme e përfundoi në qershor 1969 në Gjimnazin “Abas Shehu” Tepelenë.

Studioi për Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër 1969-1971, të cilin e përfundoi me rezultate të shkëlqyera. 1971-1974 kreu shërbimin ushtarak të detyruar në Marinë.

Në vitin e fundit të shërbimit nisi me korrespondencë studimet në Universitetin e Tiranës për Letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate shumë të mira në vitin 1976. Punoi në arsim deri në vitin 1983, kohë kur filloi punën si redaktor për Kulturën dhe Sportin në Gazetën lokale “Shkëndija”. E humbi këtë vend pune për shkak të përkrahjes së proceseve demokratike në dhjetor 1990.

Më 20 korrik 1999 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe filloi detyrën e redaktorit-përgjegjës për seksionin shqip të gazetës Shqiptaro-Amerikane ILLYRIA, paralelisht nisi dhe përfundoi studimet 2 vjeçare në Institut Tecnnology of Business në New York.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë