Njerez

Ndahet me partnerin sa dyfishi i moshës, ai kërkon paratë që “investoi” për të

Për disa një histori dashurie është e bukur për aq sa zgjat. Për disa të tjerë të përfshihesh në një histori apo edhe marrëdhënie, është thjesht investim. Kur thuhet investim nuk është fjala për përkushtim, kohë në dispozicion, apo gjithçka tjetër që thuhet nga psikologë e sociologë të marrëdhënieve, por tamam investim në para.

Historia që gazeta Si sjell pak më poshtë është zbuluar nga policia, e cila pas sherrit mes dy të rinjve që janë ndarë po bën gati dokumentat dhe qëndrimin e ish të dashuruarve për hetime të mëtejshme. Partnerja pretendon se është lodhur nga ndjekja këmbë pas këmbe nga ish i dashuri. Por ish i dashuri këmbëngul se ka harxhuar shumë para me vajzën dhe kërkon kthimin pas të shumës, që as më shumë e as më pak, është fiks 13 mijë euro.

“Tre vitet e fundit, nga viti 2016 deri në vitin 2019 isha në lidhje me Aurelin”, kallëzon Xhorxhina. Marrëdhënia zgjati deri në muajin maj atëherë kur çifti ka patur grindjen e madhe dhe kur siç pretendon 24-vjeçarja, ish i dashuri me të cilin po bashkëjetonte i ka kërkuar që të largohet nga shtëpia

“Javën e parë ju luta që të kthehej, por ai iku në Gjermani duke më thënë bëj ç’të duash me jetën tënde, me mua nuk ke më punë. Atëherë unë vendosa dhe u lidha me dikë tjetër. Por kur u kthye nga Gjermania, Aureli filloi të më shkruajë dhe kërkon të rilidhemi, më del në rrugë tek dyqani ku punoj dhe poshtë shtëpisë ku jetoj”, shton ajo.

Por, krejt ndryshe është qëndrimi i burrit, i cili është thirrur menjëherë në komisariatin numër dy dhe është marrë në pyetje. Ai pranon që e ka telefonuar ish të dashurën, por jo për t’u rikthyer tek ajo. Por që ajo t’i kthejë pas lekët që ai ka harxhuar me dhe për të.

Aureli deklaron: “Kam vite që jam divorcuar me bashkëshorten dhe në 2016 u njoha me Xhorxhinën, me të cilën u lidha dhe bashkjetova deri në 2019. U largova dy javë me punë në Gjermani dhe kur u ktheva nuk e gjeta Xhorxhinën në shtëpi. Kishte gjetur apartament me qira dhe ishte lidhur me një person tjetër. Unë kam investuar 13 mijë euro për të dashurën dhe në fund të muajit korrik e telefonova dhe i thashë që meqënëse u largove nga unë, dua të më kthesh lekët që kam investuar për ty. Ajo erdhi në polici për t’u justifikuar”.

Siç shpjegon më tej ish-partneri, në kohën që është lidhur me Xhorxhinën ajo ishte 21-vjeçe, ndërsa ai 47 vjeç . “Në momentin që ajo u largua, kuptova se kishte qëndruar për interes dhe ndaj ja kërkova lekët që investova për të”, e ka mbyllur deklaratën Aureli, i cili siç kuptohet ka bërë dhurata të shumta për ish të dashurën, që nga ana e saj këmbëngul se mesazhet dhe kërkesat e tij nuk janë asgjë tjetër veçse përndjekje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë