Bota

NATO, dokumenti final: Aksione agresive nga Kina e Rusia. Putin: Akuza qesharake

"Ndikimi në rritje i Kinës dhe politikat e saj ndërkombëtare mund të paraqesin sfida sistematike, me të cilat duhet të përballemi së bashku si një Aleancë". Ky është një pasazh nga konkluzionet e samitit të NATO-s në Bruksel, i cili sapo ka përfunduar.

Më herët do të ishte vetë shefi i saj, Jens Stoltenberg, që do të sanksiononte si cenues të rendit ndërkombëtar Kinën dhe Rusinë.

Të njëjtin shqetësim ka ndarë edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë, ku ka folur për një strategji për të përmbajtur ngritjen ushtarake të Kinës, si dhe duke treguar unitetin përballë agresionit rus.

Kinë-Rusi dhe shqetësimet bërthamore - "Kina po bashkëpunon ushtarakisht me Rusinë, përfshirë përmes pjesëmarrjes në stërvitjet ruse në zonën Euro-Atlantike", - thuhet në konkluzionet e përfshira të deklaratës përfundimtare të samitit, të cilat janë renditur gjithashtu shqetësime të shumta që burojnë nga politika kineze, përfshirë zgjerimin bërthamor.

Sulmet kibernetike dhe dezinformimi - Në deklaratën përfundimtare të lëshuar nga udhëheqësit pas samitit të Brukselit, u diskutua gjithashtu çështja e sigurisë dhe mbi të gjitha e "kërcënimeve kibernetike dhe hibride, përfshirë fushatat e dezinformimit dhe përdorimin e dëmshëm të teknologjive në zhvillim gjithnjë e më të sofistikuara. Përparimet e shpejta në hapësirë, ​​po ndikojnë në sigurinë tonë. Përgjegjësia më e madhe e Aleancës është të mbrojë territoret dhe popullatat tona nga sulmet dhe ne do të adresojmë të gjitha kërcënimet dhe sfidat që prekin sigurinë euro-atlantike", - shpjegohet në shënim.

Biden: Sfida të reja - "Ne kemi sfida të reja, kemi Rusinë dhe Kinën. NATO është shumë e rëndësishme dhe nëse nuk do të ekzistonte, do të duhej të shpikej", - tha presidenti i SHBA-ve, Joe Biden në takimin bilateral me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Biden pastaj vlerësoi nenin 5, duke e quajtur atë një "detyrim të shenjtë" dhe përgëzoi Stoltenberg për udhëheqjen e tij.

BE, partner i vetëm dhe thelbësor - Bashkimi Evropian mbetet për NATO-n "një partner unik dhe thelbësor", sipas asaj që u deklarua nga krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës Atlantike në komunikatën përfundimtare.

"Partneriteti strategjik NATO-BE është thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e kombeve tona dhe zonën Euro-Atlantike", - shtojnë udhëheqësit, të cilët njohin rëndësinë e "një mbrojtjeje më të fortë dhe më të aftë Evropiane".

Mbështetje për ish-republikat ruse - Udhëheqësit e NATO-s, në fund përsëritën "mbështetjen e tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Republikës së Moldavisë, brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht. Ne i bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqë, në përputhje me angazhimet e saj ndërkombëtare, forcat që ka vendosur në këto tre vende pa pëlqimin e tyre. Ne dënojmë me forcë dhe nuk do ta njohim aneksimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe denoncojmë okupimin e përkohshëm të saj. Shkeljet e të drejtave të njeriut kundër Tatarëve të Krimesë dhe anëtarëve të komuniteteve të tjera lokale, duhet të ndalen", - thuhet në deklaratën e përbashkët.

Reagon presidenti rus - Vladimir Putin, i quajti akuzat e NATO-s dhe ato amerikane, se hakerat rusë ose qeveria e Moskës ishin pas sulmeve kibernetike në Shtetet e Bashkuara, si "qesharake". "Ne jemi akuzuar për shumë gjëra. Nga ndërhyrja në zgjedhje, te sulmet kibernetike dhe prova nuk janë prodhuar kurrë për t’i provuar. Këto janë akuza të pabazuara”, - tha Putin për televizonin NBC.

Në një intervistë të publikuar të hënën, dy ditë para takimit “kokë më kokë” me Joe Biden në Gjenevë, udhëheqësi i Kremlinit tha se ishte i hapur për mundësinë e një shkëmbimi të burgosurish midis Rusisë dhe SHBA-ve.

"Po, po, sigurisht", iu përgjigj lideri rus intervistuesit të tij në lidhje me një shkëmbim të mundshëm midis dy amerikanëve të ndaluar në Rusi, Paul Whelan dhe Trevor Reed dhe disa rusë në burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë