Futboll

Napoli siguron Amir Rrahmanin, Verona fiton 12 milionë euro

Marrëveshja është mbyllur. Napoli do t’i paguajë Veronës 12 milionë euro për të marrë shërbimet e ish-mbrojtësit të Partizanit dhe kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmanit. Lojtari pritet që shumë shpejt të kryejë vizitat mjekësore, ndërkohë që marrëveshja përfshin edhe 2 milionë euro të tjera bonus.

Zakonisht, merkatoja kërkon shumë durim, por drejtuesit e Napolit kanë zgjedhur rrugën më të shkurtër, blerjen menjëherë të mbrojtësit të Veronës. Pas bisedimeve me klubin ku luan Rrahmani, është arritur edhe akordi financiar. Amir Rrahmani, i cili mbush 26 vjeç pas një muaji e gjysmë, shihet si një përforcim i denjë për mbrojtjen e Napolit. Futbollisti kosovar po zhvillon një sezon të shkëlyqer me fanellën e Veronës, ashtu si dhe mbrojtësi shkodran, Marash Kumbulla, edhe ai në shitje e sipër. Marrëveshja mes dy klube parashikon që Rrahmani të bashkohet në verë me Napolin, pra ta mbyllë këtë sezon me Veronën.

Amir Rrahmani, kur luante me Partizanin. Gazeta Si, 14 janar 2020

Progresi i Amir Rrahmanit ka qenë i jashtëzakonshëm, çka tregon se ai është një lojtar shumë serioz dhe ambicioz. Të gjithë e kujtojnë kur luante titullar me Partizanin vite më parë që në moshë shumë të re. Në kampionatin shqiptar erdhi nga Drenica dhe paraqitja e mirë me të kuqtë bëri që mbrojtësi kosovar të kalonte në Kroaci, te RNK Split fillimisht dhe më pas te Dinamo e Zagrebit. Në vitin 2019 Rrahmani bëri hapin e madh, duke kaluar në Serinë A me Veronën, ku tregoi vlera të padiskutueshme dhe tashmë është një lojtar i Napolit.

Kosovari bashkohet kështu me Elseid Hysajn, për të cilin tani ka më shumë shanse të qëndrojë se të largohet. Rrahmani ka qenë pjesë edhe e Komëtares shqiptare, por trajneri De Biazi e la jashtë Europianit të Francës dhe mbrojtësi më pas kaloi te Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë