Futboll

Napoli kampion i Italisë për herë të 3-të, pritja merr fund pas 33 vitesh

Gazeta Si – Mjaftonte një pikë dhe Napoli e mori atë sot në Udine, ku barazoi 1-1 dhe zyrtarizoi titullin e 3-të kampion në histori. Osimhen realizoi golin e titullit në ‘Dacia Arena’, duke qëndisur kështu trengjyrëshin në fanellat e djemve të trajnerit Spaleti.

Pritja ka marrë fund. Napoli rikthehet në majën e futbollit italian 33 vite pas suksesit që mban firmën e Diego Armando Maradonës. E ka arritur këtë sukses nëpërmjet një ecurie shumë të mirë, me 25 fitore, 5 barazime dhe 3 humbje. Numra të një dominimi absolut nga skuadra e Spaletit.

Rrahmani feston me ekipin titullin kampion Italie. Gazeta Si, 4 maj 2023

Aritmetika vjen falë barazimit 1-1 në fushën e Udinezes, ku i zakonshmi Viktor Osimhen iu përgjigj golit të Lovriç në fillim të ndeshjes. Vërshëllima e trefishtë e Abiso në ‘Dacia Arena’ solli shpërthimin e festës për Amir Rrahmanin, mbrojtësin kosovar që shpallet kampion në Serinë A.

Napoli mezi po e priste zyrtarizimin e titullit, sidomos pas barazimit befasues me Salernitanën të dielën që shkoi, një rezultat që shtyu festimet. Tani ja ku erdhi edhe momenti për të festuar me titullin. Për trajnerin Luçiano Spaleti është titulli i parë në karrierë.

Në ‘Maradona’ ka shpërthyer menjëherë festa e shumëpritur. Edhe pse nuk luhej në këtë stadium, tifozët kishin mbushur shkallët e tij, në pritje të zyrtarizimit të titullit kampion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë