Napoli ka nisur grumbullimin e detyruar në mesjavë, të kërkuar me ngulm këtë herë nga trajneri Karlo Ançeloti. Një grumbullim që mund të zgjasë deri të hënën në mbrëmje, në prag të ndeshjes me Genkun në Champions League. Tensioni te skuadra e Elseid Hysajt është rritur shumë dhe nuk ka shenja për zbutjen e toneve. Një atmosferë tejet pesimiste para ndeshjeve të radhës.
Trajneri Ançeloti i ka ditët të numëruara, nëse nuk merr rezultat pozitiv në Udine dhe nëse nuk kalon në fazën tjetër të Championsit. De Laurentis ka nisur kontaktet me Gatuzon, por te Napoli nuk është problem vetëm trajneri. Skuadra është e ndarë në katër klane dhe Ançeloti është në mes. Grupi i parë përbëhet nga “senatorët”, nga lojtarët më të vjerët që janë kundër trajnerit, si Insinje, Kalehon, Alan e ndonjë tjetër. Një klan tjetër është ai i të pakënaqurve, ku bën pjesë edhe lojtari i Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj. Bashkë më shkodranin, në këtë grup janë edhe lojtarë të tjerë që nuk janë aktivizuar sa duhet si Mario Rui, Jounes etj.
Dy klanet e tjera janë ai i ndërmjetësve, të cilët duan që palët të bashkëpunojnë dhe situata të qetësohet, si dhe ai i të rinjve që kanë ardhur në merkaton e verës, si Ospina, Lorente e ndonjë tjetër. Një situatë krejtësisht kaotike te Napoli, që ka pasur rënie të fortë në rezultate. Sido që të shkojë, e ardhmja e Hysajt duket larg Napolit, madje pritet që mbrojtësi kuqezi të lëvizë që në merkaton e janarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.