Futboll

Napoli i Hysajt në kaos, rebelohen lojtarët dhe trajneri Ançeloti

Situatë mjaft e tensionuar te Napoli. Barazimi me Salcburgun në Champions nuk e riktheu qetësinë dhe autobusi i skuadrës, që pas ndeshjes në “San Paolo” duhej të kthehej në qendrën stërvitore Kastel Volturno, u nis bosh. Një rebelim i vërtetë nga lojtarët, një sjellje që vjen pas ndërhyrjes së presidentit De Laurentis në dhomat e zhveshjes dhe që nuk pranohet aspak nga ekipi dhe trajneri Ançeloti. Një shknëdijë për krisjen mes ekipit dhe drejtuesve dhe për rebelimin e lojtarëve. Stafi teknik gjithsesi ka shkuar natën vonë në Kastel Volturno, në hotelin e rezidencës së Napolit.

Nuk e kanë bërë këtë gjë lojtarët, të cilët kanë kontaktuar menjëherë përfaqësuesit e tyre ligjorë, pasi e konsiderojnë jashtë rregullores grumbullimin në hotel edhe gjatë javës. Një “mundje dore”, që mund të ketë pasoja të rënda për sezonin e Napolit. Barazimi me Salcburgun, po të shohësh renditjen dhe kalendarin nuk është për t’u nënvlerësuar, por tensioni te Napoli është në shkallën maksimale. Heshtje e çuditshme nga trajneri Karlo Ançeloti, i cili nuk u paraqit në konferencë shtypi pas ndeshjes dhe për këtë Napoli do të gjobitet, sepse është një detyrim i protokollit. Konferenca u dezertua edhe nga Lorente, lojtari i përzgjedhur nga Napoli.

Insinje, i dëshpëruar pas barazimit me Salcburgun. Gazeta Si, 6 nëntor 2019

Janë veprime që tregojnë se klima te Napoli është shumë e ndezur, ndërkohë që përpara është ndeshja me Xhenoan dhe duhen rikuperuar pikë për zonën Champions. Janë shumë çështje që presin përgjigje në këtë moment. Klubi i imponon ekipit grumbullimin në hotel, lojtarët refuzojnë. Ançeloti hesht dhe braktis konferencën. Kanë nisur që tani aludimet që e çojnë trajnerin te Boka Zhuniors në janar. Lojtari i Kombëtares, Elseid Hysaj, qëndroi në stol në ndeshjen e djeshme, pasi është rikuperuar pas dëmtimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë