Biznes

“Naftë ‘saudite’ në Shpirag…”

Rama dhe Balluku: Ka cilësi premium. Investimi 7 mld dollarë. Do të krijojmë Fondin Sovran, buxheti nuk e përballon

Nga Gazeta ‘Si’ - Kryeministri Edi Rama ka pasur përsëri një komunikim me mediat lidhur me zbulimin e naftës në Shpirag, ku sipas tij ka naftë të një niveli të lartë, çka e bën atë të krahasueshme me naftën saudite.

Duke e quajtur si sukses për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë, Rama tha se ky zbulim do të ketë një ndikim të madh ekonomik në vend, duke prekur çdo fushë shërbimi. Kryeministri garantoi se përfitimi është më i madh se sa kostot. Kontrata pritet të zgjasë deri në 30 vite. Ai shtoi se pjesë e planit është edhe ndërtimi i një rafinerie.

“Është prekur rezerva pas një eksplorimi shumë të vështirë dhe një investimi masiv të bërë për shkak të thyerjes së përsëritur të sondave, si rezultat i formacionit gjeologjik. Ende nuk është cekur uji, që është nën rezervën, çka prezumon që madhësia e rezervës mund të jetë edhe më e madhe. Nuk flasim dot për shifra konkrete. Informacionet në këtë fazë janë jo vetën konfidenciale, por pa marrë rezultatin e testit final që përcakton nëse nxjerrja  e kësaj pasurie është e arsyeshme nga pikëpamja financiare. Nëse do ishte më i kushtueshëm se sa përfitimi, kuptohet që rezerva mbetet aty për një kohë tjetër kur teknologjia mund të avancojë në përmasa që sot nuk janë. Edhe pse Shell ka përdorur teknologjinë më të fundit. Testi do nisë në tetor dhe rezultatet bazohen në ndjekjen e qëndrueshmërisë së fluksit që del mbi sipërfaqe. Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë, hera e parë që kjo ndodh në vendon tonë. Sipas analizave të bëra në Holandë është naftë e së njërës cilësi të naftës premium të Arabisë Saudite”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Spirag

Ai tregoi se investimi total parashikohet në 7 mld euro.

“Investimi, nis me 3 miliardë euro dhe deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme, pasi do të nisë puna për një sërë shpimesh për të krijuar kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie është 7 miliardë investim në vendin tonë. Parashikon ndërtimin e infrastrukturës, ndarjen në gaz, naftë e sulfur dhe e treta ka një rëndësi të veçantë se krijon bazë. Kështu që të gjithë duhet të jenë sot të bindur se kjo pasuri e madhe është edhe e tij dhe kjo pasuri e madhe do jetë një mbështetje për çdo njërin. Nuk e kam fjalën që do marrë një kovë me naftë, apo lek në dorë, por përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do impaktojë pensionet, sistemin e arrestimit, shëndetësisë, mirëqenien e fëmijëve tanë.”

Më tej, Rama tha se qeveria do të krijojë një Fond Sovran, ku do të shkojnë taksat e nxjerrjes së naftës, që parashikohen të jenë shifra shumë të larta.

“Fondi Sovran do të ketë profil që do të integrojë domosdoshmërinë për mbështetjen e pensionistëve dhe balancimin e barrës së tmerrshme të trashëguar nga e kaluara me parimin etik që kjo pasuri është qoftë e atyre që jetuan e punuan në këtë vend e nuk patën pjesën e tyre dhe të atyre që lindin dhe kanë të drejtën të kenë pjesën e tyre. Fondi sonvran është fond investimesh që një pjesë e të ardhurave i vendos për të shumëfishuar në tregun ndërkombëtar. Po punojmë me qendrën për zhvillim ndërkombëtar në universitetin e Harvardit. Fondi sovran serioz dhe me përgjegjësi të madhe”, shpjegoi Rama.

Impianti i kompanisë SHELL, pranë pusit 5 Shpirag

Pas kryeministrit, zëvendësja e tij dhe njëkohësisht ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, tregoi se faza e testimit të naftës nis në tetor. Ajo tha se nafta e zbuluar ndodhet në një thellësi prej më shumë se mbi 6 kilometra dhe do të duhet të hapen 15 puse.

“Është zbuluar se nafta ndodhet në thellësi të sipërfaqes 6 km nën tokë dhe do të duhen të hapen mbi 15 puse. Rezervuari në kontratën e zonave dy dhe tre është i lidhur dhe për sa kohë është i lidhur shpimet e tjera do të ndodhin për të lehtësuar rrjedhjen, por e dimë që është rezervuar i lidhur” tha Balluku.

Ajo tha se kompania që po investon, Shell, ka parashikuar tre skenare aksesimi me pikat kyçe të transportit në Shqipëri. Skenari i parë, lidhja me portin e Vlorës,  skenari i dytë, lidhja me exitpoint-in e TAP dhe e treti lidhja me Porto Romanon.

Balluku tha se ekonomia shqiptare do të përfitojë nga proceset e ndërtimit të infrastrukturës, taksat që parashikon legjislacioni dhe disa bonuse miliona dollarëshe, kur nxjerrja e naftës kap disa kuota të caktuara.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dha detaje nga përfitimet që do të ketë Shqipëria. Kontrata me kompaninë zgjat 25-30 vite. SHELL do të paguajë 10% rentë minerare dhe 50% tatim fitim. SHELL do të paguajë nga 250 mijë dollarë deri në 1.5 mln dollarë në vit, në varësi të prodhimit. Bonusi i prodhimit do jetë 250 mijë dollarë për fuqinë e parë, ndërsa 1.5 milionë dollarë kur prodhimi arrin 30 mijë fuçi në ditë. Pritet të angazhohen edhe 5 mijë punonjës, shumë prej tyre shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë