Lajme

Mynyr Koni: Protesta demokratike. Rama: Mëshiroj pafytyrësinë

Pas protestës masive të studentëve prej 10 ditësh radhazi dhe mbledhjes së djeshme me kryeministrin Edi Rama ka reaguar rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.
Rektori Koni i quan akuza të rënda ndaj atij, deklaratat e kryeministrit dhe thotë se është shumë e kuptueshme arsyeja dhe qëllimi i gjithë çfarë është bërë gjatë këtyre ditëve në adresën e tij dhe që në fakt ka filluar shumë kohë më parë sipas tij.
Koni kujton tarifën e provimeve të mbartura të studentëve, duke i qëndruar deklaratës se Senati i UT, nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosjen e saj.
“Në asnjë ditë të punës time si Rektor i Universitetit të Tiranës nuk jam ‘arratisur’ nga përgjegjësia, por përkundrazi. Në mënyrë të vazhdueshme, kam paraqitur problematikat (që Ju vetëm tani po i pranoni se ekzistojnë) në të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë edhe Ju.
Akuzat që ju bëni, tregojnë shumë qartë se Ju nuk e njihni ligjin e arsimit të lartë 80/2015.
Të njëjtën gjë bëni edhe me çështjen e tarifës së provimeve të mbartura të studentëve, për të cilën, Senati Akademik i UT, ka deklaruar se nuk ka bërë asnjë kërkesë për vendosjen e saj.
Në çdo rast, Ju ushtroni presion, intimidoni, ironizoni dhe shantazhoni, jo vetëm në mënyrë të drejtpërdrejtë por edhe nëpërmjet mediave që janë pranë qeverisë, duke mos i dhënë mundësinë askujt, në rastin konkret mua, të shprehem dhe të them të vërtetën se çfarë realisht po ndodh në Universitetin e Tiranës”, shprehet rektori Koni.
Sipas Konit, arsyeja që luftohet është pikërisht njohja shumë e mirë e ligjit të arsimit të lartë.
“Në fakt arsyeja që unë luftohem është pikërisht njohja shumë e mirë e ligjit të arsimit të lartë, dhe jo vetëm, është përgjegjshmëria e lartë dhe përkushtimi në punë që më karakterizon, dhe mosbërja palë në interesa të caktuara”, vazhdon më tej Koni.

Deklaratës së rektorit Koni i është përgjigjur menjëherë kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë ka paralajmëruar se shumë shpejt do të jetë auditor më auditor dhe ka përdorur edhe fjalë fyese ndaj rektorit Koni.
“Zoti Rektor i UT, unë e mëshiroj pafytyrësinë Tuaj të dyfytyrtë dhe reagimin Tuaj tipik për burrat rrëshqanorë! Sidoqoftë,unë shumë shpejt do të jem auditor më auditor, ku shpresoj të keni kurajon të m'i thoni në sy veshëgjatësitë e shkruara në reagimin Tuaj që flet vetë për Ju”, shkruan kryeministri Rama në “Twitter".

https://twitter.com/ediramaal/status/1073545704407212033


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë