Lajme

Muzeun “Marubi” tani mund ta shikosh edhe pa shkuar në Shkodër

Delegacioni i BE-së në Shqipëri u shpreh sot se Muzeu Marubi mund të vizitohet në 3D, pa qenë nevoja të shkohet në Shkodër. Delegacioni i BE-së shprehet se “nuk keni pse shkoni në Shkodër për të vizituar Muzeun Marubi. Derisa muzeu të hapet përsëri, ju dhe të dashurit tuaj mund t’i hidhni një sy turit virtual 3D dhe të mësoni më shumë rreth historisë së tij të pasur nga rehatia e shtëpisë tuaj”. Nëpërmjet postimit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Gazeta "Si" mësoi se "Marubin" mund ta vizitoni online në këtë link: (tur virtual - kliko këtu).

https://www.facebook.com/eu.delegation.albania/posts/2800719116664540

Sipas drejtorit të këtij muzeu, Luçjan Bedeni, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, i çelur më 9 maj 2016, Ditën e Evropës në Shkodër, ruan dhe promovon vlerat e një koleksioni fotografik prej më shumë se pesëqindmijë negativësh që shtrihet nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë e deri në fundin e shekullit njëzet. Arkivi i familjes Marubi, së bashku me arkivat e shumë fotografëve të tjerë në pronësi të muzeut, dokumentojnë momente të rëndësishme të jetës sociale, kulturore dhe politike të shqiptarëve përgjatë një shekulli e gjysmë.
Arti i fotografisë në Shqipëri zë fill rreth mesit të shekullit XIX. Ateljeja e parë u ngrit më 1858, nga Pjetër Marubi, në Shkodër, në atë kohë një nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë.
Më 1970 Gegë Marubi ia dhuroi fototekën e studios, me një pasuri prej 500.000 negativash, shtetit shqiptar. Sot ajo përbën një qendër të rëndësishme arkivore-shkencore. Fotografitë e saj përbëjnë një pasuri të radhë për historianët, etnografët, arkitektët, urbanistët, artistët, etj.
Familja Marubi përcolli përmes fotografive periudha të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, si gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, Periudhës së Mbretit Zog dhe regjimit komunist.
Me një vendim të posaçëm qeveria shqiptare vendosi dhënien e statusit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Fototeka “Marubi” është një investim i Qeverisë shqiptare dhe me mbështetjen e Bashkimit Europian./ata/trt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë