Futboll

Musah blerja e 8-të e Milanit, amerikani do të firmosë për 5 vjet me kuqezinjtë

Gazeta Si – Mesfushori amerikan, i lindur në Nju Jork dhe i rritur në Itali, do të firmosë për 5 vjet me Milanin. Ai vjen nga Valencia dhe pritet të jetë një element i rëndësishëm për trajnerin Pioli.

Ja ku vjen edhe goditja e 8-të e Milanit për këtë verë. Junus Musah do të vishet kuqezi, zyrtarizmi është vetëm një formalitet, sepse për gjithçka është rënë dakord mes palëve. Mesfushori i vitlindjes 2002 do të kushtojë rreth 20 milionë euro. Pas bisedimeve të gjata, presidenti Lim ka dhënë ‘ok’-in për transferimin e amerikanit te Milani.

Musah me fanellen e Valencias. Gazeta Si, 30 korrik 2023

Musah do të firmosë për 5 vjet dhe do të kthehet në Itali pas gati 10 vitesh. Nga 2008-a në 2012-ën ka luajtur mes radhëve të Xhorxhone, në Veneto.

Musah luan në mesfushë dhe vjen pas një sezoni të mirë me 37 ndeshje. Ka marrë pjesë edhe në Botëror me SHBA-të, ku numëron 27 ndeshje në total. Pasi ka luajtur me moshat tek Anglia, ka zgjedhur të luajë për kombëtaren amerikane.

Junus ka lindur në Nju Jork thuajse rastësisht. Nëna e tij kishte shkuar aty për të takuar një kushëririn e saj, teksa ishte shtatzanë në muajin e 8-të. Prindërit kanë jetuar në Kastelfranko për disa vjet, para se të transferoheshin në Londër për punë. Pas disa vitesh me të rinjtë e Arsenalit, Musah zgjodhi Valencian. Nga 2020-a e deri tani numëron 108 ndeshje dhe 5 gola me ekipin spanjoll.

Më parë Milani ka bërë disa afrime të rëndësishme, si Pulisiç, Loftus-Çik, Okafor, Reijnders apo Çukueze.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë