Ushqim

Mungesa e arkivës kulinare shqiptare ‘i dhuron’ byrekun me djathë Bullgarisë

Nga Gazeta Si- ‘Taste Atlas’ është një udhëzues që mbledh komente të kritikëve të ushqimit dhe artikuj kërkimor për të bërë renditje të ushqimeve të ndryshme.

Në një publikim, ‘Taste Atlas’ e cilëson byrekun me djathë si një ushqim tradicional bullgar.

“Byreku me djathë është versioni kryesor i byrekut tradicional bullgar”, shkruan Taste Atlas duke shpjeguar dhe mënyrën se si bëhet.

Tradicionalisht, shkruan ‘Taste Atlas’, byreku shërbehej në natën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri por ditët e sotme ai mund të blihet edhe gjatë gjithë vitit në dyqane ushqimore, kioska dhe pothuajse kudo.

Por, ndërkohë që byreku gatuhet edhe në Shqipëri, a mund të jetë ushqim tradicional shqiptar?

Shef Arvin Kita tregon për Gazetasi.al se byreku mund të quhet i kujtdo në rajon përderisa e gatuajnë.

“Meqenëse “Taste Atlas” e ka shpallur si tradicional bullgar, atëherë në bazë të një historiku të cilin patjetër e kane paraqitur bullgarët, është vlerësuar si i tillë”, thotë Kita i cili shton se byeku mund të ishte grek, serb, boshnjak, shqiptar… por është shpallur bullgar sepse ata e kanë mbrojtur si të tyrin.

Edhe pse shef Arvin Kita thotë se nuk ka një ‘fajtor’ pse është shpallur bullgar në bazë të fakteve, ai tregon se problemi në Shqipëri është se nuk kemi nga ana institucionale arkivë kulinare mbi traditën dhe trashëgiminë ushqimore.

“Besoj që duhet të jemi të vetmit në rajon që nuk kemi dhe kur shohim e dëgjojmë një “padrejtësi” të tillë reagojmë duke thënë se na e kanë marrë ne”, thotë Kita duke shtuar se çdo gjë fillon e mbaron nga institucionet përkatëse që mungojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë