Lajme

Mund të jetë shumë vonë për të investuar në aksionet europiane që po rimëkëmben

Nëse e keni humbur hovin e rimëkëmbjes së aksioneve europiane, tani mbase është pakëz vonë për të investuar.

Strategët e investimeve presin që Indeksi Euro Stoxx 50 të rritet veçse me 3.8% nga mbyllja e së hënës në 3,023 gjer në fund të vitit, sipas një survejimi të bërë nga Bloomberg News. Por kjo pritshmëri përsëri lë hapësirë me 19% me objektivin e parashikimit që ka qënë përpara rënies së krizës nga koronavirusi. Ndërsa për Indeksin Stoxx Europe 600 strategët e analistët e ndryshëm presin që të mbyllet tek 361, me 5.6% më shumë në fund të 2020-s.

Parashikimet e zymta të GDP-ve të disa prej vendeve të BE-së dhe Eurozonës

Aksionet europiane patën një rimëkëmbje të fuqishme në prill nga lajmet e disa prej vendeve europiane që po nisnin të planifikonin heqjen e masave izoluese, por ky hov i fuqishëm ka marrë fund në maj. Duket se parashikimet e ekonomisë dhe deklaratat e të ardhurave të kompanive të ndryshme të zymta së bashku me shqetësimet për mundësinë e një vale të dytë me infektime kanë goditur rëndë tregjet kapitale europiane.

Parashikimi dhe ecuria e Indeksit europian Stoxx 600

Paqartësia e madhe nga impakti që mund t’i kanoset Europës dhe planetit nga koronavirusi ka dhënë një gamë të madhe parashikimesh të strategëve dhe analistëve të investimeve përsa i përket tregut europian. Deutche Bank AG është nga të paktat që mendon se do të ketë një rritje në vlerë të tregut të aksioneve europiane. Sipas saj parashikohet që Indeksi Stoxx 600 të mbyllet në fund të vitit afër 440, ose ndryshe 29% më lart seç është aktualisht. Ndërsa ING Groep NV ndan mendim diametralisht të kundërt me Deutche Bank AG, pasi për të indeksi Stoxx 600 pritet që të bie me rreth 9.2% nga vlera aktuale gjer në fund të vitit. E po këtë mendim pesimist ING Groep NV ka dhe për Indeksin gjerman DAX ku parashikon një rënie prej 0.5% nga sesioni mbyllës i të hënës gjer në fund të vitit.

Indeksi DAX tregon vlerën e 30 kompanive më të mëdha Gjermane që tregtohen në Frankfurt Stock Exchange

Ndërsa mbi indeksin e Mbretërisë së Bashkuar FTSE 100 parashikimet janë më pozitive, të dy grupet bankare (pra Deutche Bank AG dhe ING Groep NV) presin që ky indeks të rritet me 4.3% gjer në fund të vitit nga vlera aktuale.

Burimi Bloomberg, përshtatur në shqip nga Gazeta “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë