Futboll

“Mrekullia” e 5-të me Emanuel Egbo në stol, Tirana kap kreun

Që kur Emanuel Egbo u ul në stolin e Tiranës, ajo vetëm fiton dhe tashmë, pas javës së 19-të, është në vend të parë. Ishte derbi me Partizanin, kur skuadra bardheblu fitoi 2-1 dhe më pas ka njohur vetëm sukses, duke mundur me radhë edhe Laçin, Flamurtarin, Bylisin dhe Luftëtarin. Janë 5 fitore radhazi dhe 34 pikë në renditje.

Në ndeshjen e sotme me Luftëtarin, fitorja ishte formalitet për Tiranën, që shënoi 5 gola dhe mund ta thellonte edhe më shumë fitoren. Kobina, Batha dy herë, Ngo dhe Muçi janë autorët e golave për skuadrën e Egbo, ndërsa për gjirokastritët shënoi golin e nderit Çela. Bardheblutë rrisin kështu presionin te Kukësi dhe Partizani, që ndeshen mes tyre sot në “Air Albania Stadium”. Tirana është kthyer bindshëm dhe, me sa kuptohet, paska pasur nevojë për pak qetësi. Emanuel Egbo, i ardhur si trajner emergjence, i ka rritur shumë kreditet e tij, jo më kot u konfirmua nga drejtuesit bardheblu.

Emanuel Egbo, trajneri i Tiranës. Gazeta Si, 26 janar 2020

Një fitore me vlera ka arritur edhe Teuta, që falë golit të Lorenco Vilës ndaj Bylisit, është ngjitur në vend të tretë, me 31 pikë. Durrsakët kanë parakaluar ballshiotët, që pësojnë humbjen e dytë radhazi. Gara në kreun e tabelës është bërë vërtet interesante, pasi skuadrat janë shumë pranë me pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë