Futboll

Moviola e Braçes dhe gjobat e Gjicit, dy gjëra që s’ndryshojnë kurrë

Politikanët kanë një lidhje të fortë me sportin, i sheh shpesh në tribunat “VIP” të stadiumeve. Është diçka krejtësisht normale, disa janë të lidhur direkt, duke investuar për ekipin e zemrës dhe disa janë të lidhur shpirtërisht, si tifozë të thjeshtë apo edhe në versionin ultras. Në këtë kontekst, numri 2 i Qeverisë Shqiptare, Erion Braçe, është një personazh shumë i njohur i futbollit shqiptar, por jo më pak edhe Kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, “de facto” president i Kukësit.

Pas javës së 18-të të Superiores, e para për këtë vit kalendarik, që të dy kanë marrë rolin e protagonistit, duke mos dalë nga natyra e tyre. Kukësi barazoi me Luftëtarin dhe ruajti kreun, por llogaritë ishin për fitoren që do ta shkëpuste ekipin verior në krye, ndaj dhe 2 pikët e lëna pritet t’u kushtojnë lojtarëve dhe stafit teknik një gjobë. “Panorama Sport” bën të ditur se do të ketë gjoba për ekipin kuksian pas barazimit në Gjirokastër. Gjobat, anulimi i tyre me disa fitore radhazi, apo edhe shpërblimet, janë diçka e zakonshme për Kukësin dhe Gjicin. Është pjesë e mekanizmave si funksionon klubi kuksian.

Postimi i zv.kryeministrit Erion Braçe. Gazeta Si, 23 janar 2020

Po kaq tipike janë edhe shpërthimet në rrjetet sociale të zëvendëskryeministrit Erion Braçe, një tifoz i thekur i Partizanit, që humbi në Korçë. Edhe këtë herë Braçe ka sulmuar FSHF-në, duke bërë analizën e gabimeve arbitrare, apo moviolën e rasteve të diskutueshme të ndeshjeve. Në fakt, java e 18-të e Superiores pati shumë probleme sa i takon gjykimit, duke vendosur rezultatin në shumicën e ndeshjeve, siç shkruan edhe Braçe. Gabime nga të cilat u penalizua indirekt Partizani, pasi Kukësi dhe Tirana, dy ekipet kryesuese, morën pikë falë gabimeve të arbitrave.

Braçe ka akuzuar arbitrin ndërkombëtar Enea Jorgji, i cili, sipas tij, i dha fitoren Tiranës ndaj Bylisit, por mbi të gjithë ka akuzuar atë që ai e quan “Sistemi D”, duke iu referuar presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe sistemit të ngritur prej tij në futbollin shqiptar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë