Futboll

Mourinjo tall Arsenalin: Zgjedh trajner me 0 humbje, s’ka shpjegim tjetër

Ka një çështje që Zhoze Mourinjon e shqetëson prej kohësh dhe nuk arrin t’i japë një shpjegim. Një çështje që ka të bëjë me zgjedhjet e shumë klubeve të mëdha për t’u besuar trajnerëve të rinj, pa pasur më parë asnjë eksperiencë, duke rrezikuar shumë. Ka ndodhur kështu vite më parë me Guardiolën te Barcelona dhe aventura e tij shkoi shumë mirë, por në të shumtën e rasteve këto zgjedhje kanë dështuar.

“Special One”,aktualisht trajner i Totenhemit, para ndeshjes Everton-Arsenal ka dhënë disa deklarata, duke shigjetuar trajnerin Mikel Arteta, por akoma më shumë drejtuesit e ekipit londinez. “Ndoshta tani zgjidhen trajnerët me më pak humbje në kurrikulum, jo ata me më shumë fitore, – ka theksuar Mourinjo. – Ançeloti ka fituar tre Champions, ka fituar kampionate në Itali, Francë dhe Angli, ka fituar edhe kupa gjithandej. Megjithatë, edhe ai ka humbur ndoshta 200 ndeshje, edhe unë mund të kem humbur rreth 150-180 ndeshje”.

Portugezi vazhdon më tej argumentin e tij: “Tani nuk flitet se sa kemi fituar, por sa kemi humbur. Kështu pra, i bie që trajnerët më të mirë në botë janë ata me zero humbje”. Deklarata plot ironi nga Mourinjo, i cili i referohet zgjedhjes së Mikael Artetës në krye të Arsenalit pa drejtuar më parë asnjë skuadër tjetër që kur ka varur “këpucët në gozhdë”. “Shpjegimi i vetëm sipas meje është se drejtuesit e klubeve shohin vërtet cili trajner ka më pak humbje dhe atë që ka më pak kërkesa për punë. Nuk ka shpjegim tjetër”, – ka përfunduar Mourinjo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë