Futboll

Mourinjo injoron Kumbullën, s’e ka në plan edhe kur s’ka 2 mbrojtës

Gazeta Si – Roma ka vuajtur gjithmonë pa Smolling në skuadër. Këtë herë Mourinjo nuk ka as Lorenten dhe detyrimisht duhet të luajë Kumbulla, por trajneri portugez po mendon edhe një zgjidhje tjetër, pa shqiptarin.

Përpara ndeshjes së rëndësishme me Milanin, që vendos shumë për Championsin, Roma ka vështirësi në prapavijë. Në ‘Olimpico’, pa Kris Smolling ajo ka humbur 2 herë 2-1, ndërsa në të vetmin rast që mbrojtësi anglez ka luajtur me Milanin, skuadra kryeqytetase ka fituar me të njëjtin rezultat, me gola të Xhekos dhe Xaniolos, kur në stol ishte Paulo Fonseka.

Kumbulla me flamurin kuqezi. Gazeta Si, 26 prill 2023

Në ndeshjen e fundit me Atalantën, Mourinjo humbi edhe Lorenten për të paktën 3 ndeshjet e radhës, ndaj Milanit, Moncës dhe Interit. Portugezi nuk preferon mbrojtjen me 4 dhe me ‘rregull’ i takon Kumbullës të luajë, bashkë me Mançinin dhe Ibanjez. Por trajneri ka një plan tjetër, duke e injoruar mbrojtësin e Kombëtares shqiptare.

Mourinjo pritet të tërheqë Kristanten në mbrojtje për të pasur më shumë kualitet në zotërimin e topit. Nëse mungojnë dy mbrojtës dhe Kumbulla sërish nuk gjen hapësirë, atëherë do të thotë se me trajnerin portugez në stol ai nuk ka më asnjë shans të luajë te Roma.

Merkatoja e verës është përpara dhe ndoshta për mbrojtësin kuqezi është më mirë të ndërrojë skuadër, ndoshta duke bërë edhe ndonjë hap prapa, sepse ai e ka të domosdoshme të luajë rregullisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë