Rend dhe Ligj

Moti me dëborë dhe festat e nëntorit, policia kalon në gatishmëri të përforcuar

Gazeta Si- Për shkak të motit të keq me reshje të dendura të dëborës dhe festave të nëntorit, Policia e Shtetit ka kaluar në gatishmëri të përforcuar deri më datën 30 nëntor.

Përforcimi i sigurisë nisi që mbrëmjen e 25 nëntorit për shkak të motit të keq, ku punonjësit e policisë u shkuan në ndihmë dhjetëra qytetarëve, të cilët u bllokuan në qarkun Dibër si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës.

Qindra persona të bllokuar në mjetet e tyre nës mes të rrugës, u evakuuan me automjete të kalueshmërisë së lartë, duke shkuar më pas në destinacionet e tyre.

Sipas një njoftimi të policisë, gatishmëria dhe shërbimi i përforcuar do të vijojnë deri më datë 30 nëntor, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në të gjitha sheshet dhe ambientet ku do të zhvillohen festime.

"Shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Rendit po bashkëpunojnë me policitë bashkiake, për monitorimin e rrugëve dhe shesheve që do të bllokohen për festime. Ndërkohë, Policia Kriminale ka rritur vigjilencën dhe po bashkëpunon me agjencitë e tjera ligjzbatuese", - thuhet në njoftimin për mediat.

Gjithashtu, janë marrë masa për parandalimin e ndotjes akustike që shkaktohet nga përdorimi i pakontrolluar dhe në cënim të parashikimeve të ligjit, i fishekzjarreve dhe lëndëve të tjera piroteknike, për qëllime festive.

Njëkohësisht, janë marra masa në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe në kufirin e gjelbër, për të parandaluar dhe për të goditur tentativat për krime kufitare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë