Lajme

Moti i keq, Xhaçka: Mund të kemi situata të papritura, kujt mund t’i drejtoheni në rast rreziku

Të dhënat nga Instituti i Gjeoshkencave, Ujit dhe Mjedisit dhe nga qendrat sinoptike homologe të vendeve fqinjë kanë bërë që Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka të flasë publikisht për një fundjavë të karakterizuar nga stuhi dhe reshje të mëdha shiu, të cilat mund të jenë shkak për përmbytje në disa zona, kryesisht në prefekturat Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier apo Gjirokastër. Pavarësisht masave, sipas saj, parandaluese të dy viteve të fundit, Xhaçka njoftoi se moti i keq sërish mund të na ekspozojë në situata të papritura.

“Sistemet e kanalizimeve të dëmtuara, ndërtimet e pakontrolluara në zonat e rrezikuara, kolektorët e bllokuar e problemet e ndryshme që kanë ardhur nga zhvillimi kaotik i territorit i deri pak viteve më parë, sërish na ekspozojnë në probleme të mundshme sa herë prurjet paraqiten të jenë të një intensiteti të lartë.

Për këtë arsye, strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, bashkitë dhe prefekturat, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit janë në gatishmëri dhe të mirëkoordinuara për të reaguar në kohë dhe me efikasitet.

Jam shpresëplotë se, falë asaj ç’ka kemi bërë, nuk do të përsëriten më situatat e viteve të shkuara, veçanërisht në Shkodër, Fier, Vlorë e Lezhë. Megjithatë, marr shkas t’i bëj apel çdo qytetari, që në rast rreziku nga përmbytjet të njoftojnë strukturat e tyre vendore të emergjencave civile, për të ndërhyrë në kohë apo te telefonojnë nr e emergjencave 116 – 116”, tha ajo


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë