Ngjarje

Moti i keq / Rrezikohen disa banesa në Rrëshen. Skuraj-Burrel bllokohet nga rënia e gurëve. Trafik në Tiranë e Durrës, përmbytet Vlora

Nga Gazeta ‘Si’- Reshjet e shumta të shiut kanë shkaktuar probleme në disa zona të vendit.

Në Durrës disa rrugë janë përmbytur, duke sjellë kaos dhe trafik. Reshjet e shiut kanë mbushur me ujë rrugët pranë stadiumit të futbollit "Niko Dovana" dhe rrugës "Egnatia" që të çon në Currila. 

Në aksin rrugor Skuraj-Burrel ka rënie masive gurësh dhe bllokim të rrugës në fshatin Shkopet.

Aktualisht mirëmbajtësit e rrugës janë duke punuar për pastrimin e saj, për kthimin në normalitet.

Në qarkun e Lezhës për shkak të reshjeve është fryrë Përroi i Zmejës në Rrëshen dhe rrezikohet përmbytja e disa banesave. Probleme të furnizimit me ujë të pijshëm nuk raportohet, kurse me energji elektrike ka patur ndërprerje të furnizimit, kryesisht në zonat rurale, përshkak të rrjetit të amortizuar.

Edhe në Tiranë reshjet e shiut kanë krijuar sërish probleme në disa zona.  Në zonën e ‘Don Boskos’, rrugët janë të mbuluara nga uji duke shkaktuar vështirësi të madhe në qarkullim.

Pothuajse të gjithë akset rrugore janë bllokuar për shkak të trafikut, rruga e ‘Durrësit, rruga e ‘Kavajës’, rruga e ‘Elbasanit’, kryqëzimi i Don Boskos dhe i 21 Dhjetorit, rruga ‘Bardhyl’, rruga ‘5 Maji’, rruga ‘Jordan Misja’, rruga ‘Siri Kodra’. Bllokim po ashtu ka pothuajse edhe në të gjitha rrugët dytësore.

Në Tiranë u krijuan problematika të premten e kaluar kur vendi ynë u godit nga stuhia ‘Ciaran’. Lana doli nga shtrati dhe banesat pranë Pallatit me Shigjeta u përmbytën.

Përmbytjet kanë sjellë probleme edhe në Vlorë.

Kuotat e lumenjve Drin e Mat janë në rritje por deri tani pa problem.

Gjatë gjithë ditës së sotme meteorologët kanë parashikuar që të ketë stuhi shiu dhe breshër. Në darkë pritet që të ulet intensiteti i reshjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë